“Molla e sherrit”, SHBA i propozon Kosovës e Serbisë menaxhimin e Ujmanit

24/06/2021 13:53

Shtetet e Bashkuara i dorëzuan qeverive të Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, që ishte pjesë e zotimeve në marrëveshjen ndërmjet të dyja vendeve, të nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

Të dyja palët qenë pajtuar në takimin e 4 shtatorit në praninë e ish presidentit Donald Trump për një studim fizibiliteti, “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thotë VOA. Liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës, përfshirë edhe kryeqytetin.

Ai është është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në raportin prej 53 faqesh, që është dorëzuar të mërkurën janë dhënë disa propozime që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe themelimin enjë komisioni që do të trajtonte gjendjen ne lumin Ibër që është furnizuesi kryesor i liqenit artificial.

“Ne propozojmë që Serbia dhe Kosova të marrin në konsideratë bashkërendimin teknik të zhvilluar nën Traktatin SHBA-Kanada rreth lumit Columbia”, thuhet mes tjerash në raport. Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të asnjërës prej qeverive. Përfshirja e fizibilitetit të këtij liqeni në dakordimin e 4 shtatorit 2020 nxiti reagime në Kosovë. Kritikët thonë se liqeni është pjesë e Kosovës dhe se nuk duhet të diskutohet me Serbinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA