“Më janë lëshuar fjalë fyese…”, Mimi Kodheli jep fjalimin e lamtumirës: Nuk kam bërë mrekullira, por kam pasur mision të qartë

24/06/2021 12:32

Mimi Kodheli ka dhënë fjalimin e saj të lamtumirës në Kuvendin e Shqipërisë duke nisur nga ofendimet e shumta që ka marrë në këtë sallë deri tek falenderimet për socialistët dhe kundërshtarët e ngjyrimeve të tjera politike.

Kodheli nisi të përmendte socialistët duke thënë se shpreson të ketë mirëkuptimin e të tjerëve nëse nuk i përmend emër për emër. Në përfundim tha se nuk ka bërë mrekullira por ka pasur mision të qartë dhe angazhim maksimal. Ndërsa për Ramën tha se ka qenë mik, shok e koleg për të.

Mimi Kodheli: Më janë lëshuar fjalë fyese, janë thënë të paqena dhe bërë veprime që nuk i shkojnë për shtat as një qytetari të thjeshtë e aq më pak një përfaqësuesi të tij në instancën më të lartë të përfaqësimit dhe më e keqja është se është bërë thuajse gjithmonë në emër të popullit. Meqë është fjala ime e fundit në këtë sallë si deputete, nuk dua të flas për atë që nuk kemi ditur të bëjmë apo se kemi bërë fare. Megjithë të metat tona, ky insitucion dhe kjo foltore mbeten më të rëndësishmet brenda republikës tonë parlamentare ndaj respekt dhe përulje për të gjithë ata kolegë që në vite kanë dhënë maksimumin që kanë përmbushur këtë detyrë me seriozitet dhe nder. Më lejoni të tejçoj disa falenderime dhe shpresoj të mos kem mirëkuptimin tuaj nëse nuk ju përmend të gjithëve emër për emër.

Faleminderit Gramoz Ruci, faleminderit kolegë socialist të të gjitha legjislaturave ku unë kam qenë pjesë por në mënyrë të veçantë, faleminderit kolege të dashura. Faleminderit kolegë të ngjyrimeve të tjera politike, i kam dhe më kanë vlerësuar. Faleminderit të gjithëve socialistëve nga bjeshkët e Namuna, deri në Finiq, të Shkodrës, Vlorës, Tiranës padyshim. Faleminderit të gjithë qytetarëve që me mua kanë qarë dhe qeshur. Faleminderit grave të jashtëzakonshme të Shqipërisë, mbështetjes sime të madhe. Nuk kam bërë mrekullira, por misioni im ka qenë i qartë dhe angazhimi ka qenë maksimal. Faleminderit Edi Rama për besimin për të përfaqësuar atdheun. Ke qenë mik, shok e koleg. Ju falenderoj nga zemra, shpresoj të shihemi së shpejti duke bërë punë të mira dhe punë të mbarë.

Top Channel