Gjonaj: Ligji i ri për OJF-të rrit transparencën dhe heq rrezikun e sektorit nga pastrimi i parave

24/06/2021 14:02

Ministrja Etilda Gjonaj ka prezantuar sot në parlament projektligjin mbi regjistrimin e organizatave jofitimprurëse. Projektligji sipas ministrisë së Drejtësisë, do të lehtësojë pafund veprimtarinë e organizatave të shoqërisë civile.

Prej korrikut 2019 edhe me ndihmën e BE-së, Këshilli i Ministrave, pas konsultimeve dhe me kontributin e organizatave të shoqërisë civile miratoi udhërrëfyesin për një mjedis mundësues për të. Ky udhërrëfyes, një nga prioritetet kryesore kishte krijimin e kuadrit ligjor më mundësues për regjistrimin e shoqërisë civile.

Deri tani rezulton se gjatë gjithë procesit të konsultimit, mbi 70 përqind e komenteve të shoqërisë civile, janë reflektuar në përmbajtjen e projektligjit dhe kjo e ka rritur ndjeshëm cilësinë e tij. Nëpërmjet këtij ligji, autoritetet thonë se përmirësojmë ndjeshëm kohëzgjatjen dhe procedurat e regjistrimit të një organizate ose për të kryer ndryshime në regjistrin e OJF-ve.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u tha deputetëve në seancën plenare se edhe “për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga “MONEYVAL”, ne rrisim transparencën dhe heqim një rrezik që ky sektor ka për pastrimin e parave.”

Sipas Gjonajt, “në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, projektligji vendos detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori”.

Po ashtu u nënvizua se projektligji ndryshon rrënjësisht sistemin e regjistrimit.

“Projektligji për regjistrimin e Organizatave jofitimprurëse, është një nga nismat më të rëndësishme që unë, që edhe personalisht kam pasur kënaqësinë për të propozuar në Këshillin e Ministrave dhe për ta prezantuar përpara Kuvendit. Përpara përfshirjes time dhe në emërimin në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, puna në organizata të shoqërisë civile, të bën të kuptosh vështirësitë që realisht krijohej në funksionimin e organizatave, për shkak të një kuadri ligjor që jo vetëm që nuk lehtësonte krijimin dhe funksionimin e shoqërisë civile në vend, por në fakt vendoste barriera administrative të panevojshme që ndikonin drejtpërdrejtë në vullnetin e aktivistëve të shoqërisë civile për tu regjistruar dhe për të forcuar zërin e tyre edhe nëpërmjet organizimeve formale ligjore.

Nga ana tjetër, për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga MONEYVAL, ne rrisim transparencën e këtij sektori, dhe heqim një rrezik që ky sektor mundet të ketë për pastrimin e parave. Në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, nëpërmjet këtij projektligji vendosen detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori. 

Po ashtu, nëpërmjet këtij projektligji kemi gjetur edhe një zgjidhje për të ulur disi ngarkesën në Gjykatën e Tiranës. Sipas ligjit aktual, çdo veprim me regjistrin e OJF-ve, duhet të bëhej nga një gjyqtar i gjykatës së tiranës. Në një vit, Gjykata e Tiranës kishte rreth 2000 çështje që kishin lidhje me kryerjen e veprimeve në regjistrin e OJF-ve. Tashmë, këto 2000 çështje mesatare në vit nuk do të trajtohen më nga gjyqtarët, por nga kancelari i Gjykatës së Tiranës, i cili, me mbështetjen e zyrës së regjistrit të OJF-ve, do të kryejë këto procedura regjistrimi.

Ne krijojmë një sistem regjistrimi të bazuar në komunikimin dhe shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrim. Pra, edhe dikush që është nga një rreth i largët, mund të paraqesë aplikimin elektronik për regjistrimin e organizatës në gjykatën e Tiranës dhe e përfundon procedurën pa ardhur asnjë ditë në Tiranë. Kjo shkurton kohën e regjistrimit dhe koston që lidhet me këtë proces

Miratimi i këtij projektligji do të sjellë një ndryshim rrënjësor për sa i përket transparencës së organizatave të shoqërisë civile, por njëkohësisht dhe lehtësirave në procedura, duke lehtësuar nga njëra anë organizatat dhe qytetarët që kanë interes dhe duan të marrin informacion për të gjithë organizatat që funksionojnë në Republikën e Shqipërisë”, tha Gjonaj.

Element thelbësor gjithashtu në këtë ligj, është lehtësimi i procedurave, pasi në vazhdimësi deri më sot ishin të zgjatura vështirësitë me krijimi dhe regjistrimi i një organizate, për të cilën duhet të shkohej disa herë në gjykatë për ta përfunduar si procedurë.

Sipas ministres, kjo vështirësohej më shumë për anëtarët e shoqërisë civile nga jashtë kryeqytetit, që u duhej për të regjistruar organizatën, të vinin disa herë në Gjykatën e Tiranës.

Lidhur me këtë, projektligji jep zgjidhje për të ulur disi ngarkesën në Gjykatën e Tiranës. Sipas ligjit aktual, çdo veprim me regjistrin e OJF-ve, duhet të bëhej nga një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës.

Në një vit, Gjykata e Tiranës kishte rreth 2000 çështje që lidheshin me kryerjen e veprimeve në regjistrin e OJF-ve. Tashmë, këto 2000 çështje nuk do të trajtohen më nga gjyqtarët, por nga kancelari i Gjykatës së Tiranës, i cili, me mbështetjen e zyrës së regjistrit të OJF-ve, do të kryejë këto veprime regjistrimi.

Në tërësi ligji lehtëson pa masë punën dhe barrën administrative të organizatave dhe lejon zhvillimin e sektorit duke mundësuar krijimin e lehtë të organizatave nga çdo individ që ka zellin dhe pasionin për t’u marrë me çështje në interes dhe dobi të publikut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA