Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin përfundimtar të mandateve të fituara nga secili subjekt politik në zgjedhjet e 25 prillit, duke vulosur përfundimisht emrat e 140 deputetëve, të cilët do të ulen në Kuvend në shtatorin e këtij viti.
Pas hapjes së mbledhjes nga komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe relatimit të çështjeve teknike nga sekretari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte përfaqësuesi i Partisë Demokratike, ai i cili kërkoi që të vendoset në listat e deputetëve të Partisë Demokratike të shënohet edhe se kujt force politike i përkasin kandidatët fitues.
Në Parlamentin e ri Partia Socialiste ka fituar 74 mandate deputetësh Partia Demokratike 59, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 dhe Partia Social Demokrate 3. Vetëm pak ditë më parë, zgjedhjet e qarqeve që do të përfaqësonin, të kryeministrit Rama dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, përcaktuan përfundimisht emrat që do të ulen në Kuvend.
Kryeministri Rama, pas tetë vitesh si deputet i Vlorës, zgjodhi mandatin në Durrës, ndërkohë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi pranoi mandatin në Fier, duke i shtuar listave të Tiranës, emrin e Petrit Vasilit.
Kundër këtyre vendimeve, të miratuara nga komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bëhet ankesa në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 ditësh dhe më pas ky vendim hyn në fuqi menjëherë në fletoren zyrtare.
Top Channel