Shtetet e Bashkuara u dorëzuan të mërkurën qeverive të Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, që ishte pjesë e zotimeve në marrëveshjen ndërmjet të dyja vendeve, të nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

Të dyja palët qenë pajtuar në takimin e 4 shtatorit në praninë e ish presidentit Donald Trump për një studim fizibiliteti, “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.

Liqeni që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin. Ai është është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në raportin prej 53 faqesh, që është dorëzuar të mërkurën janë dhënë disa propozime që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe themelimin enjë komisioni që do të trajtonte gjendjen ne lumin Ibër që është furnizuesi kryesor i liqenit artificial.

“Ne propozojmë që Serbia dhe Kosova të marrin në konsideratë bashkërendimin teknik të zhvilluar nën Traktatin SHBA-Kanada rreth lumit Columbia”, thuhet mes tjerash në raport.

Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të asnjërës prej qeverive.

Përfshirja e fizibilitetit të këtij liqeni në dakordimin e 4 shtatorit 2020 nxiti reagime në Kosovë. Kritikët thonë se liqeni është pjesë e Kosovës dhe se nuk duhet të diskutohet me Serbinë.

Kosova dhe Serbia me 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit Donald Trump arritën një dakordim për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe zotimi i Serbisë që ta vendos ambasadën e saj në Jerusalem.

Në fillim të muajit shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatike dhe në mars Kosova hapi ambasadën në Jerusalem, duke u bërë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që ishte kritik ndaj marrëveshjes së 4 shtatorit, tha se i pëlqen “ta lexoj nga fundi”, tekstin e saj.

“Në fund të tekstit të marrëveshjes…është njohja e Kosovës nga Izraeli. Dhe kjo është pjesa që më pëlqen më së shumti në të dhe është pika e fundit, prandaj unë e lexoj nga fundi”, tha zoti Kurti./voa

Top Channel