Ritmi i vaksinimeve i lartë, Manastirliu: Hapim fashën për punonjësit e institucioneve në kontakt direkt me qytetarët

23/06/2021 13:26

Zgjerohet fasha e vaksinimit, duke përfshirë punonjësit e shërbimeve kritike dhe institucioneve në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur procesin e vaksinimit në qendrën e vaksinimit të përqendruar në Air Albania, nga ku u shpreh se ritmi është i lartë, por synohet të rritet me tej, me vaksinimin e kombinuar, si pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv.

“Kemi kryer më shumë se 900 mijë vaksinime. Ritmi është goxha i mire, por kemi mundësi akoma më shumë për të rritur këtë ritëm, në mënyrë që të arrijmë një mbulesë vaksinale sa më të lartë. Plani i kombinuar i vaksinimit është duke vazhduar edhe me institucionet kritike si OSHEE, të transportit, ujësjellësit si dhe institucione të cilat kanë kontakte direkte me qytetarët, siç janë bashkitë, siç është qendra e shërbimeve ADISA dhe institucione të tjera të cilat janë përfshirë në planin tonë të vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën e epidemisë në vend, Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për vigjilencë dhe theksoi se do të intensifikohet programi i vaksinimit.

“Pavarësisht se jemi në një situatë shumë të kontrolluar të epidemisë në vend, kjo nuk do të thotë se duhet të ulim vigjilencën, e aq më pak, ritmin e vaksinimit”, tha Manastirliu.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 901,429 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 375,629 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID. Aktualisht është hapur fasha e vaksinimit për qytetarët +50 vjeç, ndërsa vijon vaksinimi i kombinuar edhe me grupet e riskut. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA