Mbledhja e Kryesisë, reagon grupi ‘Për PD’: Kryetari i zgjedhur në minorancë po shkarkon përgjegjësinë e humbjes tek demokratët

23/06/2021 11:04

Grupi për Partinë Demokratike ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me vendimet e mbledhjes së zhvilluar së fundmi të Kryesisë së Partisë Demokratike, që u zhvillua pak ditë më parë.

Grupi për PD thotë se analiza e zgjedhjeve të 25 prillit në PD po bëhet në mënyrë që Lulzim Basha të shkarkojë nga vetja përgjegjësitë tek anëtarët e thjeshtë të Partisë, Kryetarët e Degëve dhe Degët e PDSH-së, pa bërë transparencë se çfarë ndodhi me garancitë që dha para zgjedhjeve në lidhje me mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë.

Me anë të një letre të bërë publike për mediat paraditen e sotme, ky grup sqaron se: Analiza për “realizimin e objektivave të vendosur për zgjedhjet e 25 prillit 2021” është në kundërshtim të hapur me deklaratat për masakër zgjedhore. Zoti Basha duhet të ndajë mendjen, ose zgjedhjet janë vjedhur ose nuk janë arritur objektivat nga strukturat e Partisë Demokratike dhe deputetet e listës. Në të kundërt ai duhet të pranojë siç është e udhës përgjegjësitë e tij për këtë humbje. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar pa mbyllur analizën tregon se qëllimi i vërtetë nuk janë zgjedhjet.

Grupi ‘Për PD’ deklaron se, do të vazhdojë të kërkojë ringritjen e Partisë dhe rimëkëmbjen e saj, afrimin e të gjitha kontributeve dhe bashkimin e Partisë deri në ardhjen sa më parë në pushtet.

Deklaratë e Grupit për PD-në:

Grupi për PD shpreh shqetësimin e tij në lidhje me vendimet e mbledhjes së fundit të Kryesisë së Partisë Demokratike të mbajtur në datë 18 qershor 2021. Në vendimin e Kryesisë “Për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Pika II 1 e këtij vendimi flet për informimin e Kuvendit Kombëtar mbi analizën e masakrës zgjedhore të 25 prillit 2021, në një kohë kur po kjo kryesi ka vendosur se analiza mbi zgjedhjet e prillit përfundon në 30 shtator 2021.

Kryetari i rikonfirmuar në minorancë me vetëm 30 mijë vota të anatërësisë së PDSH-së, 25 mijë më pak se në vitin 2017, kërkon të shkarkojë përgjegjësinë e tij për zgjedhjet e 25 prillit 2021, tek anëtarët e thjeshtë të Partisë, Kryetarët e Degëve dhe Degët e PDSH-së, pa bërë transparencë se cfar ndodhi me garancitë që dha para zgjedhjeve në lidhje me mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Analiza për “realizimin e objektivave të vendosur për zgjedhjet e 25 prillit 2021” është në kundërshtim të hapur me deklaratat për masakër zgjedhore. Zoti Basha duhet të ndajë mendjen, ose zgjedhjet janë vjedhur ose nuk janë arritur objektivat nga strukturat e Partisë Demokratike dhe deputetet e listës. Në të kundërt ai duhet të pranojë siç është e udhës përgjegjësitë e tij për këtë humbje. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar pa mbyllur analizën tregon se qëllimi i vërtetë nuk janë zgjedhjet.

Pika 3 e të njëjtit vendim flet për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ky vendim është antistatutor dhe i paligjshëm për faktin se bie ndesh me nenin 50 të Statutit të Partisë Demokratike “Mbi kompetencat e Këshillit Kombëtar” ku theksohet se mandati i Këshillit dhe Organeve Drejtuese të tij është 4 (katër) vjeçar. Mungesa e transparencës në vendimarrje dhe vendimet e pabazuara në statut vazhdojnë të jenë problem kryesor i lidershipit të Partisë Demokratike që menjëherë pas përfundimit të ngjarjes së 13 qershorit 2021 dhe rikonfirmimit të Kryetarit të Partisë pa garë dhe duke hequr nga listat mijëra demokratë, kërkon të bëjë fushatën e fundit të spastrimeve në Parti. Ndërprerja e mandatit të Këshillit Kombëtar është i paligjshëm dhe duhet hequr nga rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.

Partia Demokratike ka lindur si një Parti e lirisë së mendimit dhe individit, e vendimeve kolegjiale dhe marrjes së përgjegjësive e për këtë arsye do të mbetet e tillë pavarësisht spastrimeve të Kryetarit gjatë 8 viteve të fundit. Grupi për PD do të vazhdojë të kërkojë ringritjen e Partisë dhe rimëkëmbjen e saj, afrimin e të gjitha kontributeve dhe bashkimin e Partisë deri në ardhjen sa më parë në pushtet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA