Procesi i Vetting-ut në sistemin e drejtësisë ka shkarkuar nga detyra një numër të madh magjistratësh, prokurorësh e gjyqtarësh.
Kjo ka bërë që shumë pozicione në gjykata e prokurori të mbeten bosh, duke rrezikuar kolaps të drejtësisë.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, flet për “një nivel të shkarkimit në organet e Vetting-ut me rreth 70%” dhe pranon se kjo është shifër dramatike”:
“Rezultatet e procesit të Vetting-ut kanë qenë të tilla që, nga njëra mund t’i quash të suksesshme sepse kanë arritur të identifikojnë mungesën e integritetit dhe të profesionalizmit në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pikërisht për çfarë u krijua sistemi i Vetting-ut. Por nga ana tjetër, rezultati është i papritur.
Numri total i prokurorëve në sistemin tonë të Prokurorisë do të duhet të ishte 341. Sot kemi në detyrë vetëm 238. Pjesa më e madhe e këtyre që mbeten në sistem janë ende të pavetuar.
Situata në gjyqësor është akoma më e vështirë, sidomos në Apelin e gjykatave, situata është vërtet dramatike. Nga 137 që do të duhet të ishin, sot atje shërbejnë 35, një pjesë janë ende në proces Vetting-u.
Në rast se sistemi mbetet në rënie të lirë, nëse nuk merren masa, mund të shkojmë drejt kolapsit.
Situata është e tillë, që niveli i prurjeve në sistemin e drejtësisë, që vijnë nga shkolla e magjistraturës, nuk është i tillë që të mund të zëvendësojë nivelin e humbjeve të shkaktuara nga Vetting-u. Nga pikëpamja numerike dhe nga pikëpamja profesionale.
Edhe në një situatë ideale, po të ishin numrat për të zëvendësuar ata që janë shkarkuar, përsëri zëvendësimi nuk do të ishte i plotë, pasi rendimenti i një magjistrati, prokurori, që sapo e ka marrë detyrën, nuk mund të jetë i krahasueshëm me atë të një magjistrati që ka punuar për vite”.
Megjithatë, sipas Gent Ibrahimit, reforma në drejtësi është e drejtë dhe do të sjellë rezultate pozitive: “Reforma që kemi bërë ne shqiptarët, është një reformë me të cilën duhet të jemi krenarë. Është një reformë e sinqertë, që do të sjellë me patjetër rezultate”.
Kreu i KLP-së thotë se për të zgjidhur situatën e vështirë me vendet bosh në gjyqësor, duhet patjetër ndërhyrje legjislative.
“Për të zgjidhur problemin e vakancave nuk mjaftojnë përpjekjet në nivel administrativ, menaxherial të dy këshillave. Është e nevojshme të ketë ndërhyrje legjislative, për të siguruar burime të shtuara të magjistratëve në sistem. Shkolla e magjistraturës në vetvete, me ciklin e saj të krijimit të magjistratëve, nuk mjafton për të mbushur vakancat”.
Ndërkohë, procesi i “Vetting-u mbaron pas 6 vitesh, kur mbaron mandati i KPA-së”, shpjegon Ibrahimi.
Top Channel