Disa pamje të rënda janë bërë virale së fundmi teksa tregojnë një oficer policie që mëshon mbi qafën e një romi në Çeki i cili vdiq më vonë në ambulancën që po e conte në spital, dhe kanë sjellë paralelizma me vrasjen e tmerrshme të George Floyd vitin e kaluar në SHBA.
Arrestimi i kryer nga tre oficerë policie u regjistrua nga një dëshmitar në qytetin e Teplice, në veriperëndim të vendit më 19 qershor.
Anëtarët e komunitetit rom të vendit e kanë krahasuar atë me vdekjen e George Floyd, njeriu me ngjyrë nga Minneapolis në SHBA, i cili vdiq në duart e oficerit Derek Chauvin më 25 maj 2020.
Por policia dhe qeveria çeke deri tani kanë mbrojtur veprimet e oficerëve dhe kanë refuzuar akuzat për brutalitet në rrjetet sociale, duke thënë se incidenti nuk është një ‘Floyd çek’.
Në video një prej oficerëve shohet që mëshon me gju mbi kurrizin e të ndaluarit i cili është vënë me fytyrë përtokë prej disa minutash. Një tjetër shihet që mban këmbët e tij kurse një oficer i tretë tenton ta prangosë.
“Ata po e mbysin” dëgjohet zëri i një gruaje në video, teksa i arrestuari dëgjohet duke ulëritur në dhimbje.
“Është puna e tyre”, dëgjohet të thotë një burrë që duket se mbron veprimet e oficerëve.
Kalimtarët duket se këshillojnë të arrestuarin të mos rezistojnë dhe pyesin njëri-tjetrin se përse është ndaluar.
Burri i identifikuar më vonë si 46-vjecari Stanislav Tomáš, vdiq në ambulancën që u thirr në skenën e arrestit.
Ata thanë fillimisht se shkaku kryesor i vdekjes ishte mbidoza por organizatat e te drejtave rome thanë se incidenti tregon mënyrën tipike sesi ato trajtohen nga institucionet çeke.
Duke folur me BBC, Michal Miko i grupit Romanonet tha se incidenti ishte ‘maja e brutalitetit’.
“Ai ishte i arrestuar me duart prapa kurrizit, përse ata duhet t’i mëshojnë me gju në kurriz për tre minutat e ardhshme?” tha ai.
Top Channel