E rëndë në Shkodër/ Nën efektin e narkotikëve, i riu me probleme të shëndetit mendor sulmon stafin mjekësor, ja ç’thotë infermierja

23/06/2021 13:55

Një incident i rëndë është shënuar në Shkodër. Një i ri me probleme të shëndetit mendor, nën efektin e lëndëve narkotike ka dhunuar stafin mjekësor dhe personelin e stafit psikiatrik të Shkodrës.

Ngjarja e rëndë është shënuar mesnatën e së martës, datë 22 qershor, ndërkohë që pacienti sipas bluzave të bardha ishte i paidentifikuar për ta, pasi ishte hera e parë që paraqitej në spital.

Njëra prej infermiereve, e cila ka qenë në orarin e saj të shërbimit gjatë natës kur ka ndodhur ngjarja e rëndë u shpreh se 25-vjeçari ka sulmuar stafin, e më pas ka dëmtuar edhe ambientet e spitalit, dhe madje ka tentuar të thyejë edhe xhamat e makinave të parkuara jashtë spitalit. Fatmirësisht, forcat e policisë kanë ndërhyrë në kohë dhe i riu është shoqëruar drejt QSUT për të marrë një shërbim më të specializuar.

“Konkretisht, tek ne ka ardhur për të kërkuar ndihmë psikiatrike një rast i një djali 25-vjeçar, i cili ishte në një gjendje shumë të rëndë të shëndetit mendor. Ai ka ardhur i shoqëruar nga familjarë dhe forca të rendit. Është menaxhuar nga ana jonë, të tipit që i kemi bërë ndërhyrje mjekësore, por për shkak të kushteve dhe infrastrukturës së Spitalit, ku te ne mungojnë mjetet kufizuese, dhoma e izolimit, rasti një orë pas marrjes së terapisë është agjituar përsëri dhe ka sulmuar stafin. Fatmirësisht të gjithë jemi mirë, por ka vazhduar më tej pjesa e acarimit të gjendjes së tij, duke shprehur agresivitetin kundrejt ambienteve të spitalit. Ka tentuar të thyejë xhamat e makinave që ishin jashtë të parkuara. Fatmirësisht kanë reaguar forcat e rendit. Pacienti është dërguar në psikiatrinë e QSUT për një shërbim më të specializuar”, u shpreh infermierja.

E pyetur, për njërin prej infermierëve, i cili është sulmuar nga 25-vjeçari, kolegia e tij tha se ai është në gjendje të mirë shëndetësore po ashtu edhe i gjithë stafi, edhe pse ju desh të përballen me agresionin e të riut.

“Infermieri është fatmirësisht mirë, por të gjithë si staf që kemi qenë në shërbim mbrëmë jemi emocionalisht dhe psikologjikisht të traumatizuar, pavarësisht se kjo është puna jonë. Përballja me sulmin dhe agresionin është një traumë më vete”, tha ajo.

Infermierja shtoi se të tilla raste janë të shpeshta dhe kjo vjen për shkak se infrastruktura e spitalit nuk ju jep mundësinë që ata të ofrojnë një shërbim profesionale dhe të mund të mbrohen nga ngjarje të tilla.

“Ka ndodhur, janë të shpeshta, aq sa janë në të gjithë botën, por te ne qëndron problem i infrastrukturës që të na lejojë ne të japim një shërbim professional dhe të mbrohemi nga këto gjëra”, shprehet infermierja.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel