Lirohet nga burgu Rrok Pepaj, babai i Daniel Pepajt i shpallur në kërkim për vrasjen e dy të rinjve nga Malësia e Madhe, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj. Vendimi për të moshuarin u mor nga gjykata e Shkodrës. Ai u arrestua 3 ditë pas vrasjes së të rinjve me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike.
Ngjarja
Daniel Pepaj akuzohet për vrasjen e dy kushërinjve të tij, Vilson Cutaj dhe Klement Pepaj, si dhe për veprat penale të Armëmbajtjes pa Leje dhe Kultivimit të Lendeve Narkotike.
25 vjeçari dyshohet se është dhunuar nga dy djemtë e tjerë, pasi ata e akuzonin se u ka vjedhur lëndët narkotike. Një ditë pas përplasjes, Pepaj i ka dërguar dy kushërinjtë e tij në një zonë të thellë në Vrith, me pretendimin se do t’u kthente pas kanabisin e vjedhur, por i ka qëlluar disa herë me armë zjarri duke i lënë të vdekur.
Më pas ai është rikthyer në shtëpinë e tij ku ka qëndruar për disa minuta dhe me një automjet është larguar teksa dyshohet se ka kaluar ilegalisht kufirin dhe është në Malin e Zi.
Rol kyç në zbardhjen e kësaj ngjarje ka luajtur, Rrok Pepaj, babai i Danielit, i cili pas shumë negociatave me policinë, pranoi të tregojë vendin e krimit. Uniformat blu rreth 1 orë e gjysmë larg qendrës së fshatit, gjetën dy parcela me 29 rrënjë kanabis të mbjella dhe dy trupat e pajetë, pak metër larg njeri tjetrit.
Pas hetimeve të policisë, rezultoi i përfshirë në këtë ngjarje edhe vetë babai i autorit të dyshuar, i cili u arrestua nën akuzën e Kultivimit të lëndëve narkotike.
Top Channel