“Fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës” dhe do të insistojnë për një Kosovë të pavarur me çdo kusht”, pohoi Aleksandër Vuçiç përpara ligjvënësve serbë, të cilëve u tha se “Beogradi nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Prishtinën.

Serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen. Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, u shpreh ai.

Ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, vazhdoi më tej kreu i shtetit serb, që insistoi se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.

Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë për të cilën është rënë dakord”, tha Vuçiç, i cili shtoi se gjatë viteve 2020 dhe 2021, Serbia u ka dhënë serbëve në Kosovë “gati 800 milionë euro”, ndërsa numëroi edhe investimet e Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Top Channel