Në sistemin arsimor parauniversitar janë të punësuar 150 oficerë sigurie të cilët e ushtrojnë detyrën e tyre kryesisht në gjimnaze e që gjatë vitit shkollor 2020-2021 kanë evidentuar 365 incidente në të gjithë Shqipërinë, edhe pse numri i problematikave mund të jetë edhe më i lartë pasi nuk ka të punësuar oficerë sigurie në të gjithë 1403 shkollat publike.

Sipas raportit të përgatitur nga Ministria e Arsimit për sigurinë brenda në shkolla vihet re se muaji tetor ka ngjarjet më problematike për këtë vit të sapo mbyllur mësimor, plot 87 raste të tilla por në përgjithësi duket se në stinën e vjeshtës nxënësit kanë pasur shqetësime ndërsa muaji qershor ka numrin më të ulët me vetëm 9 raste të raportuara. Shkollat me incidentet më të shpeshta i ka Tirana, pasuar nga Elbasani dhe Kukësi.

92% e nxënësve të dëmtuar janë në gjimnaz, ku 118 incidente u kanë ndodhur nxënësve të klasave të X. sipas raportit rezulton që problematika më e shpeshtë që ka ndodhur është dhuna fizike, përkatësisht 139 raste e të gjithë raportimeve të kryera.

bazuar në të dhënat e raportit 2 nxënës kanë përdorur armë të ftohta si dhe 3 të tjerë kanë bërë sulm me armë zjarri. Ndërsa rastet e gjetura më të pakta në numër por shumë alarmante janë 3 ngacmimet seksuale, 13 fëmijët e kërcënuar e shantazhuar, 3 nxënës të përndjekur, 2 raste të shpërndarjes së materialeve pornografike e madje edhe 3 raste tentativë për vetëvrasje.

Ndërkohë që përdorimi i drogës në mjediset e shkollës vijon të mbetet problem i pazgjidhur ku janë raportuar 12 nxënës. Gjithashtu edhe fenomeni i bullizmit talljet mes nxënësve zë një peshë të konsiderueshme në incidentet e raportuara, me 7.7% e duke shkaktuar te nxënësit edhe dhunë psikologjike. Ndër të tjera zbulohet me anë të këtij raporti që rregullorja e shkollës nuk zbatohet nga të gjithë, pasi janë raportuar thyerje të saj e shkelje nga rreth 13%.

Top Channel