“Nuk është ndërprerë puna as në pikun e pandemisë”, Kreu i KLP i dërgon letër Manastirliut: Të vaksinohen prokurorët, OPGJ-të dhe stafi

22/06/2021 12:37

Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi i ka dërguar letër Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për përfshirjen e prokurorëve, anëtarëve të Këshillit, oficerëve të policisë gjyqësore dhe stafin administrativ, në listën prioritare për vaksinim.

Numri total i personave që përfshihen në këtë grup arrin në 928.

“Gjykoj që është momenti i përshtatshëm për t’ju drejtuar me këtë kërkesë për përfshirjen e prokurorëve dhe stafit mbështetës të sistemit të prokurorisë në skemën e vaksinimit me përparësi.

Dua të sjell në vëmendjen tuaj se natyra e punës së prokurorisë është e tillë që dikton kontakt të vazhdueshëm e të afërt me një numër të lartë personazh në zyrat e prokurorisë, në gjykata, nhë terren, në institucionet ku vihen dënimet penale etj. Kjo vlen si për prokurorët ashtu edhe për oficerët e policisë gjyqësore dhe për administratën. Për më tepër, puna e sistemit të prokurorisë nuk mund të ndërpritet apo të zhvillohet online në asnjë rrethanë. Në të vërtetë, puna nuk është ndërprerë plotësisht as në pikun e pandemisë”, thuhet në letrën e Ibrahimit.

Deri tani, numri total i vaksinimeve ka arritur në 890,052.

Top Channel