E gjithë Shkodra pa ujë/ Flet drejtori i ujësjellësit: Ka pasur defekt nga luhatjet e energjisë elektrike, dëmi arrin në vlerën e 200 mijë lekëve të reja

22/06/2021 09:47

Mbrëmë ka pasur një defekt të rëndë dhe janë dëmtuar tre panele të rrjetit të shpërndarjes së energjisë në stacionin e pompimit në Dobraç.

Për shkak të luhatjeve të mëdha të tensionit gjatë natës janë djegur panelet, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në stacionin e pompimit, duke ndërprerë furnizimin me ujë për më shumë se 120 mijë banorë në qytetin e Shkodrës. Që në orën 3 të mëngjesit, ekipet teknike po punojnë për riparimin e defektit.

Drejtori i ujësjellësit, Mark Molla ka folur për mediat duke thënë: “Ka pasur një defekt në stacionin e Dobraçit si rezultat i luhatjeve të energjisë elektrike. Që në 3.30, i gjithë stafi teknik kanë ardhur dhe po punojmë për të bërë të mundur vënien në punë të stacionit dhe dhënien e ujit të gjithë qytetit të Shkodrës se deri tani jemi pa ujë. Janë dëmtuar 3 panele kryesore të stacionit si rezultat i mbingarkesës nga luhatjet. Kjo është diçka e papritur. I bëj thirrje OST dhe OSHEE që të jenë më të vëmendshëm, sidomos në lidhje me furnizimin e linjës së ujësjellësit. Në këtë orë, ngarkesa bie kudo nga ora 12 e natës deri në orën 6 të mëngjesit.

Nuk është problem i përhershëm, por ka shumë kyçje dhe shkyçje gjatë ditës dhe është e papranueshme se sa herë ka luhatje, stacioni i Dobraçit del jashtë pune dhe kjo merr kohë të caktuar për tu riparuar. Kemi pasur dhe djegie të transformatorëve, por dëmi që ka ndodhur sot ka vlerën e 200 mijë lekëve të reja”.

Çdo javë, problemet me furnizimin e energjisë dhe mungesa e energjisë elektrike bëhen shkak për ndërprerje të furnizimit me ujë. Furnizimi me energji elektrike është primar, duhet siguruar i rregullt dhe i qëndrueshëm për funksionimin e pompave dhe sistemin e shpërndarjes së ujit në qytet.

Top Channel