Dështon mbledhja/ Këshilli Bashkiak: Leli do të fshihet pas ekranit. Kryebashkiaku: Të kursejmë shfaqje të panevojshme

22/06/2021 11:09

Dështon sërish mbledhja e kërkuar nga këshilltarët bashkiakë të Vlorës. Me anë të një shkrese të datës 16 .06.2021 këshilltarët i kërkuan kryetarit të bashkisë, Dritan Leli një mbledhje jashtë radhe për të diskutuar problematikat në qytet.

Ndërkohë Leli vetë është futur në “Zoom” për tu dhënë përgjigje këshilltarëve. Më herët, Leli u ka dërguar njoftim këshilltarëve se edhe mbledhja e zakonshme e muajit, ditën e enjte do të zhvillohet po online. Para teatrit “Petro Marko” në emër të këshilltarëve ka folur këshilltari, gjithashtu deputet i sapozgjedhur Ilir Metaj.

“Anëtarët e Këshillit Bashkiak Vlorë u paraqitën sërish sot pranë ambienteve të teatrit “Petro Marko” për të zhvilluar mbledhjen e posaçme të këtij këshilli. E drejta për të thirrur mbledhje jashtë radhe  sanksionohet në nenin 53/ ligji 39 i vitit 2015. Megjithatë pritshmërinë tonë, kjo e drejtë u nëpërkëmb sërish nga kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, i cili zgjedh të tregohet indiferent ndaj nesh. Ai zgjedh të dalë mbi ligjin.

I kujtojmë Lelit se nuk ka ardhur si kandidat i pavarur apo përfaqësues i shoqërisë civile. Mund të bëjë lloj lloj numrash të protokollit, por e di mirë që e njohim dhe marrim masat. Socialistët dhe populli i Vlorës flasin gjuhën e zemrës dhe gjuha jonë e thotë qartë: Leli refuzon të ballafaqohet me këshilltarët sepse e di mirë që të flasësh për kosha plehrash është të flasësh për mungesë qytetërimi. Zoti Leli kërkon të mbrohet pas ekranit të kompjuterit, por mbetet mburojë virtuale që nuk mund të zëvendësojë  veprimet dhe joveprimet. Nuk pranojmë asnjë komunikim në distancë, çdo mbledhje fizikisht do ketë kërkesat për llogaridhënie të Lelit për punët e bashkisë, do të marrim audit të jashtëm për dhënien e lejeve nga Bashkia e Vlorës. Ne për t’i dhënë seriozitet pikave të rendit të ditë është prania fizike e sallës së mbledhjes”, tha Metaj.

Sipas Metaj, prej sot këshilltarët nuk do të marrin pjesë në asnjë mbledhje në platformën Zoom. Ndërkohë Leli ka zhvilluar mbledhjen në “Zoom”, nga ku ju përgjigjet këshilltarëve:

“Duke i uruar një ditë të mbarë pune jam sipas kërkesës për të zhvilluar një mbledhje jashtë radhe për problematikat. Në 21.06.2020 i kam kthyer këtë përgjigje Migena Ballës: Administrata dhe Leli vlerëson me përgjegjësi maksimale ushtrimin e funksioneve dhe me po këtë ndjenjë vlerëson rolin e Këshillit Bashkiak. Nisur nga ky vlerësim, deklarojmë se është keqkuptuar se administrata e Bashkisë e ka penguar qëllimisht mbajtjen e mbledhjes, sa i përket pretendimit të disa këshilltarëve për tejkalim të kompetencave nga ana e kryetarit të Bashkisë, është i pabazuar se administrata nuk ka pasur asnjë pretendim për datën, kjo për faktin se kryetari i Bashkisë dhe administrata ishin të gatshëm në platformën Zoom për mbledhjen, siç është dhe sot.

Për korrektesë nga ana e administratës është vënë një informacion mbi problematikat, në rastin konkret nuk ka qenë qëllimi i Bashkisë që të pengojë këshilltarët të hyjnë në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, pasi nuk ka diskutim që këshilltarët janë pjesë e Bashkisë dhe godina është ambient publik. Ka një keqkuptim nga ana juaj ku i referoheni nenit 9 të ligjit të 2015 për vetëqeverisjen vendore, pasi nuk ka të bëjë me tjetërsim për pronën. Mbledhja jashtë radhe në sallën “Petro Marko”, nuk mund të zhvillohet se masat janë akoma në fuqi. Zhvillimi i mbledhjeve në ambiente të mbyllura do të ndryshojë pas datës 01.07.2021. Administrata e Bashkisë do të jetë në dispozicion. Do kërkoja mirëkuptimin që t’i kursenin një shfaqje e panevojshme qytetarëve në mesin e zhvillimit të sezonit turistik, iu kam shpjeguar se zhvillimi i mbledhjes është i pamundur pasi janë në fuqi masat anti-COVID”.

Edhe një javë më parë, dështoi mbledhja sepse Dritan Leli dhe Këshilli Bashkiak nuk ranë dakord për mënyrën e zhvillimit të mbledhjes. Leli kërkonte që të zhvillohej online ndërsa Këshilli Bashkiak i Vlorës kërkonte që të zhvillohej në ambientet e teatrit “Petro Marko”. Kur ata u paraqitën, Bashkia kishte mbyllur dyert e teatrit.

Për këtë çështje, Sekretari i Këshillit Agron Gjipali ka komunikuar me zv.ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli për t’i kërkuar konfirmim që  të realizohet mbledhja fizike në sallën e teatrit “Petro Marko”.

Në përgjigjen e saj, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli konfirmon se mbledhja mund të mbahet fizikisht.

 “Përsa i përket Urdhrit të  Ministres së Shëndetësisë ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo te hapura’ qëllimi ka qenë ndalimi i grumbullimeve të posaçme, që sikundër përmendet në urdhër lidhet me tubimet, konferencat, mbledhjet partiake, ceremonitë  festive etj. ku rreziku i trasmetimit të virusit është shumë i lartë.

Përsa më sipër ky urdhër nuk cënon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i  mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale. Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distances, mbajtja e maskes, kushtet higjenosanitare etj”, thuhet në përgjigjen e Rakacollit.

Top Channel