Institucionet nuk koordinojnë me njëra tjetrën dhe ata që penalizohen janë operatorët turistik. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor i ka licensuar , ndërkohë që  Policia Rrugore i gjobit edhe pse me dokumentacionin e rregullt.

Në Fiks Fare u ankua  Flogert Nozllaku, i cili ka në pronësi një kompani transporti udhëtarësh për qëllime turistike. Ankohet se, para dhe pas pandemisë, këta operatorë turistikë janë penalizuar nga policia, duke iu vendosur gjoba “se nuk lejohen të dërgojnë udhëtarë në linja të caktuara”, megjithëse janë të licencuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.

Ai thotë se ka në pronësi një firmë, e cila kryen transport udhëtarësh në vende turistike. Janë me dokumente të rregullta, madje me të gjitha udhëzimet për shoferët. Por, Policia Rrugore i ndalon te Qafa e Kasharit në Tiranë dhe u vendos gjoba me motivacionin se “drejtuesi i mjetit qarkullon me një mjet të transportit publik që nuk është caktuar për një shërbim të tillë, madje në një linjë që nuk është përcaktuar si e tillë”.

Por, Flogerti thotë se mjeti që ka marrë gjobën ka qenë me nxënës shkolle dhe ishin nisur për ekskursion në Vlorë. Ai thotë se ka një udhëzim mes Ministrisë së Turizmit dhe Ministrisë së Transportit për transportin rrugor turistik të rastit brenda vendit. Janë disa kritere, për të cilat kompania e Flogertit i ka përmbushur. Por, sërish ka marrë një gjobë vetëm për linjën. Madje, thotë se gjoba është vendosur në emër të shoferit, kur në një kohë për linjat përgjegjës është administratori i firmës, pra ai vetë. Më tej pohon se në fletën e gjobës është edhe emri i pronarit të mjetit. Por, ky mjet autobus është marrë me qira dhe në lejen e qarkullimit është shënuar edhe qiramarrësi. “S’ka si të penalizohet pronari i mjetit, kur emri im është në lejen e qarkullimit” thotë ai.

Në fund thotë se, mirë kriza e rëndë nga pandemia, por s’të lënë as policia, megjithëse i kanë dokumentet. ” Nëse vazhdohet kështu më mirë të na i heqin licencat dhe ne ta flejmë mendjen” përfundon Flogerti duke kërkuar ndihmën e emisionit.

Fiks Fare u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Në përgjigjen e saj, kjo drejtori thotë se subjekti në fjalë po transportonte për qëllime turistike nxënës, dhe për këtë arsye  ” ndodhemi në kushtet e transportit turistik të rastit brenda vendit”.

Sipas ketij institucioni, dokumentet me të cialt dueht të jetë i pajisur subjekti janë parashikuar nga udhëzimi i datës 7 nëntor 2016, neni 5 . Ku subjekti dueht të jetë  i plotësuar me dokumentat si: të jetë i licencuar në shërbimet e rregullta, sipas legjislacionit në fuqi; sigurimin e mjetit/sigurimin e udhëtarëve; Certifikatën e Kontrollit Teknik; Aktin e Komoditetit; Certifikatën e Aftësisë Profesionale për drejtuesin e mjetit;Kontratën me agjencinë e udhëtimit për çdo udhëtim, si dhe  librin e udhëtimit të lëshuar nga Bashkia sipas modelit të miratuar në këtë udhëzim.

Nëse i ka të gjitha këto dokumente brenda afateve të vlefshmërisë sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugorë, subjekti bazuar në këtë Udhëzim, operon konform legjislacionit. Këto dokumente i janë bërë të ditura Ministrisë së Brendshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me shkresën Nr. 5455/1 Prot, datë 20.08.2020.  Ndërsa mnë lidhje me gjobën që subjekti ka marrë drejtoria citon se është ky i fundit që në çdo rast duhet t’i provojë rregullsinë e dokumentacionit, organeve kontrolluese në rrugë.

Por denoncuesi Flogert Nozllaku tregoi para kamerave dokumentacionin e plotë që dispononte konform Udhëzimit të mësipërm. Dhe me këto dokumente tentoi që t’i dërgonte pranë Policisë Rrugore.

Ai shkon dy ditë rresht pranë Komisariatit të Policisë Rrugore por në asnjë ditë askush nuk ia pranon dokumentet në dorëzim edhe pse  i kishte të gjitha sipas udhëzimit të vitit 2016.

Top Channel