Disa shenja në fillim të shtunën, dhe pastaj shpërthimi ri, spektakolar vërtet, por i frikshëm. Etna u rizgjua edhe një herë me shatërvanë të mëdhenj llave nga krateri i saj juglindor. Reja gjigante e hirit nga ana tjetër ka bërë që të paralizohen krejtësisht lëvizjet në aeroportin e Catanias.
Vullkani më i lartë dhe më aktiv në Evropë, ka shpërthyer disa herë këto muaj duke kënaqur e mahnitur spektatorët, ndërkohë që autoritetet vëzhgonin situatën për të garantuar që askush nuk do t’i afrohej zonave të rrezikshme.
Etna me lartësi 3300 metra shpërthen disa herë në vit, duke gulçuar me zhurmë e duke lëshuar llavë por pa shkaktuar dëme. Etna mendohet të ketë historinë më të vjetër të dokumentuar, të shpërthimeve se sa çdo vullkan tjetër në botë. Për herë të parë shpërthimi i tij vullkanik, është regjistruar në vitin 425 para erës sonë. Hera e fundit që zonat përreth janë rrezikuar ka qenë në vitin 1992, kur llava iu afrua deri në 850 metra zonave të banuara.
Top Channel