SPAK arreston prokurorin/ Në pranga dhe një oficer policie. Shpëtuan nga ndjekja penale autorin e një plagosje

19/06/2021 14:52

Prokurori i Sarandës, Sali Hasa së bashku me një oficer të policisë gjyqësore u arrestuan bazuar në një dosje që i kushtoi karrierën edhe gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha e cila ndodhet nën arrest në burgun e grave.

Me dyshimet se u korruptua dhe pushoi akuzën e plagosjes kundër një të riu, prokurori Sali Hasa është mes gjashtë të arrestuarve të dosjes së SPAK, që këmbëngul se nga përgjimet zbuloi jo vetëm afera në drejtësi por edhe trukim të ndeshjes së futbollit Përmet – Selenicë.

Një dosje droge dhe e një grupi kriminal në pergjime, rrëzoi në fillim ish-gjyqtaren Hoxha duke përfshirë edhe mjekë nën hetim dhe në finale çështja e veçuar e Sarandës i dha të njëjtën faturë edhe prokurorit Hasa. SPAK thotë se prokurori u korruptua në një çështje nën hetim prej tij, kurse oficeri Napolon Hodaj ushtroi ndikim të paligjshëm në një çështje tjetër.

Sëbashku me ta dyshohen se ndikuan edhe Emiliano Mirani dhe Julian Zera për të cilet u vendos njeherazi arrest me burg në mungesë, kurse për gruan që ndërhyri për të vëllain ishte shpallur arrest në shtëpi. Veç tyre , i implikuar shikohet edhe Hysen Korenica mbasi dyshohet se përpiloi ekspertizë të rremë për të dëmtuarin.

Episodi i tretë i zbuluar nga SPAK lidhet me prangosjen në të njëjtën valë arrestimesh të Qerim Ruçit, arbitër i ndeshjeve të futbollit, dhe Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv “Përmeti”, që të dy të dyshuar për Paracaktim të rezultateve në garat sportive .

Top Channel