Edhe pse jemi në mes të qershorit dhe sezoni veror ka kohë që është hapur tashmë, shërbimi nuk është ende gati.
Çadrat dhe shezllonet ende nuk janë vendosur por janë lënë rrëmujë pasi sipërmarrësit po zvarriten për licensën nga portali e-Albania.
Ndryshe nga vitet e shkuara, aplikimi për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi nuk bëhet në bashki por është elektronik. Edhe pse parashikohet që afati maksimal për marrjen e këtij shërbimi është 12 ditë dhe ky proces ka nisur në 3 qershor, një pjesë e madhe e sipërmarrësve të vegjël që Top Channel ka biseduar ende nuk e kanë marrë lejen, duke ironizuar se ‘po trajtohen disa të nënës e disa të njerkës’.
Kjo jo vetëm në Borsh, por përgjatë gjithë vijës bregdetare në jug, ku duket se po favorizohen bizneset e mëdha duke rrëmbyer edhe frytet financiare të të vegjëlve. Ndërkohë që është data 19 qershor dhe këta operatorë turistikë mbahen me të ardhurat që fitojnë përgjatë tre muajve, një prej tyre tashmë e kanë të djegur.
Punëtorët e çadrave të kashtës kanë pasur rënie të punës gjithashtu, për shkak të vonesës së hapjes së plazheve.
Top Channel