Largimi i Ruçit nga politika, Koçi: Është një shembull që fatkeqësisht mungon, përvoja e tij vlerë e madhe

19/06/2021 20:15

Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi nga Fieri ka dhënë një opinion të tij për largimin e Gramoz Ruçit nga politika, ku ka thënë se është zgjedhje personale e tij.

Ai shprehet se Ruçi ka qenë një institucion për radhët e PS dhe një nga këshilltarët më të mirë që ka pasur kryeministri Edi Rama.

Koçi e konsideron kreun e Kuvendit si një shembull që mungon në politikën shqiptare.

“Ruçi është një koleg dhe shok i pazëvendësueshëm. Me këtë vendim tregoi simbolin e burrërisë dhe pjekurisë politike. Janë të rrallë burrat që kanë vendosur të lënë karrierën kur kanë qenë në lartësinë profesionale.  Besoj se do ta ndjejmë për një kohë të gjatë mungesën e Ruçit.  Kjo përvojë do të na shërbejë shumë, veçanërisht të rinjve. 

Gjithë përvoja e tij është një vlerë e madhe veçanërisht për të rinjtë që vijnë në radhët e politikës.   Jam koleg i vjetër i tij dhe u emocionova kur dëgjova vendimin për tu larguar nga politika aktive.  Gramozi ka shfaqur aftësi e për të qenë konsultues  sidomos tek socialistët dhe ka qenë një institucion për bashkimin për radhët e PS dhe një nga këshilltarët më të mirë që ka pasur Edi Rama. Përvoja e tij flet shumë.  Kemi të bëjmë me një shembull që fatkeqësisht mungon.  

Mungon në PD një rast i tillë, sidomos kur flasim për një figurë siç është Sali Berisha  i cili sapo është shpallur në përbërjen e një liste të zezë në SHBA dhe ngaqë do më shumë interesat e veta dhe nuk do as partinë e vet nuk do as veten e tij. Po të largohej nga PD do ishte një barrë më pak për PD-në. Duket që interesat personale janë më të forta se sa interesat publike, qoftë edhe të partisë së vet që ka drejtuar për shumë vite.  Kemi të bëjmë me dy modele e dy kultura që në momentin që flasim japin edhe mesazhin se sa i lidhur është njëri apo tjetri me krimin në politikë”, tha Koçi.

Top Channel