“Gjermania dhe Greqia kanë dhënë dritën jeshile për Shqipërinë. Kështu, nga 20 qershori lëvizja drejt Gjermanisë do të lejohet për të gjitha llojet e udhëtimeve. Ndërsa drejt Greqisë, shqiptarët do të mund të lëvizin lirshëm për punë, pushime apo qëllime të tjera duke nisur nga 28 qershori. Por, cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë shqiptarët për të udhëtuar drejt këtyre dy vendeve?”
Për të udhëtuar drejt Greqisë qytetarët duhet të kenë me vete formularin e Lokalizimit të Pasagjerëve që do të kërkohet në të gjitha pikat kufitare, ajrore apo tokësore, certifikatën e vaksinimit nëse kanë kryer dy dozat dhe në mungesë të saj një test Rapid ose PCR.
Ndërsa për udhëtarët që hyjnë në Gjermani nuk është i detyrueshëm testimi, veç rasteve kur qytetarët përdorin rrugë ajrore.
Operatorët turistikë e shohin me optimizëm hapjen e kufijve nga këto dy vende. Edhe pse vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi, sipas tyre interesi dhe kërkesat për të udhëtuar drejt Greqisë veçanërisht janë të larta.
“Kërkesat natyrshëm që janë shumë të mëdha. Le të themi shpërthim kërkesash për të lëvizur drejt Greqisë pasi edhe çmimet nuk do jenë të larta në Greqi duke qenë se shumë shtete të bllokut e pengojnë lëvizjen e qytetarëve të udhëtojnë drejt saj. Ka kërkesa, telefonata, kontakte online për të udhëtuar drejt Greqisë sa më shpejt. Besojmë që do ketë një lëvizje jashtëzakonisht të madhe si e të huajve në Shqipëri ashtu edhe të shqiptarëve që ikin jashtë . Vendimi I Gjermanisë i rëndësishëm, pasi priten shumë shqiptarë e jo vetëm që të vijnë që do llogariten si turistë gjermanë”, Besnik Vathi, operator turistik.
Operatorët vlerësojnë se hapja e kufijve dhe ecuria e mirë e vaksinimit do të rigjallërojë turizmin këtë vit.
“Besojmë që do ketë një lëvizje jashtëzakonisht të madhe si e të huajve në Shqipëri ashtu edhe të shqiptarëve që ikin jashtë. Sigurisht nëse ecet me ritme edhe më të shpejta të vaksinimit do të kemi padyshim një sezon të mbarë dhe shpresojmë që Gjermania të tërheqë edhe vendet e tjera me vendimin për hapjen”, tha Besnik Vathi, operator turistik.
Veç udhëtimeve për turizëm, drejt Greqisë pritet një fluks i shtuar edhe për punëtorët sezonalë, që janë të shumtë në numër. Prej majit, ata që mbajnë statusin punëtorë sezonalë janë lejuar të kalojnë por nën masa të rrepta kufizuese në orare dhe në numër të kufizuar.
Top Channel