“Vrasësi nuk ishte emigrant shqiptar”/ Komuniteti shqiptar në Greqi kërkon reagimin e autoriteteve që të sqarojnë ngjarjen

18/06/2021 14:46

Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi nuk e la të kalonte lehtë kjo situatë për shtypin vendas.

Mediet në shtetin fqinj vazhdimisht kanë përmendur shqiptarët si autorë të mundshëm të vrasjes makabre të 20-vjeçares Caroline Crouch, dhe tani prej tyre kërkohet falje publike. “Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi shpreh tronditjen e thellë dhe neverinë e ngjallur nga krimi i rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik në vend”, thuhet në deklaratë.

Ashtu si të gjithë, kemi ndjekur të tronditur zhvillimet e fundit në hetimet e vrasjes së nënës së re në Glika Nera, nga vetë bashkëshorti i saj. Përcjellim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe mbështetjen pa kushte për familjarët e viktimës 20-vjeçare, Caroline Crouch!

Por, në të njëjtën kohë, kërkojmë të përdoren menjëherë reflekset e shtetit për të siguruar një reagim të gjerë e për të dërguar pa humbur kohë mesazhin e duhur, në çdo drejtim: Vrasësi i Caroline NUK ishte asnjë kriminel tepër i rrezikshëm ‘shqiptar’ apo ‘gjeorgjian’. Sërish media greke nuk humbet aspak shansin të kultivojë me vullnet të jashtëzakonshëm stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akte që nxisin urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.

Dënojmë thellë aktin e frikshëm të vrasësit 33-vjeçar, i cili për 37 ditë me radhë luante rolin e bashkëshortit të hidhëruar dhe kërkojmë nga mediet greke të kërkojnë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar” theksohet në deklaratë, ku më tej bëhet thirrje për të mos kultivuar urrejtjen në shoqëri, por bashkëjetesën në harmoni me njëri tjetrin.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA