Sekuestrimi i 300 kg kokainë në Portin e Durrësit/ Zbulohet shuma marramendëse që do kapte droga nëse do hidhej në treg

18/06/2021 21:13

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sekuestrimi i 300 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit, sasi e gjetur në një kamion që kishte hyrë transit nga Maqedonia e Veriut. Mësohet se nëse dilte në treg kjo sasi droge do të kapte vlerën e të paktën 22 milionë eurove.

Gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi deklaroi se kamioni synonte të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ankona, me destinacion portin e Genovas.

“Ka hyrë në shtetin tonë nga Qafë Thana dhe ka udhëtuar drejt Durrësit për t’u imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Ankona.  Shoferi, baba i katër fëmijëve ka mohuar që të ketë dijeni për drogën në kamionin që drejtonte, duke shtuar se ka pasur një ngarkesë hekuri me destinacion portin e Genovas. Hetimet vazhdojnë dhe po bashkëpunohet me autoritetet maqedonase dhe ato italiane për të zbuluar se kush ishte princi i vërtetë i këtij malli.  Në treg kjo sasi droge deklarohet se kap vlerën e të paktën 22 milionë eurove”, tha gazetarja.

Kush është shoferi i arrestuar

Shoferi i arrestuar është Nazif Ajroski, por mësohet se paraprakisht para grupit hetimor të ketë thënë se nuk ka dijeni për ngjarjen. Po ashtu ai ka shtuar se është shofer që bën transport ndërkombëtar të materialeve të ndërtimit dhe se nuk ka lidhje me lëndën narkotike.

Dyshohet se droga që do të kalonte transit nga Shqipëria kishte si destinacion veriperëndim të Italisë, për t’u hedhur më tej në tregun e narkotikëve.

Pakot siç shihet dhe në foton e shpërndarë nga policia kanë etiketa të markave të njohura. Sasia e mallit të paligjshëm është konstatuar kur kamioni i është nënshtruar skanimit dhe më pas gjatë kontrollit fizik është zbuluar sasia e fshehur e drogës së ndarë në pako.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të  tjerë të përfshirë në të.

FOTO GALERI
1/23

Top Channel