Parlamenti i Malit të Zi miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e genocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç, i cili vetëm pak kohe me parë mohoi publikisht që diçka e tille të ndodhur vërtet.
Pro shkarkimit të Leposavicit votuan 43 deputetë ndërsa 27 ishin kundër. Më 26 mars, Leposaviç ngjalli reagime te ashpra me deklaratën e tij përpara ligjvënësve se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur genocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”. Ky qëndrim nxiti kritika jo vetëm brenda Malit të Zi, por edhe nga BE-ja e Shtetet e Bashkuara.
Propozimi për shkarkimin e ministrit erdhi nga shefi i ekzekutivit, Zdravko Krivokapiç e u mbështet dhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviç, tashmë në opozitë. Rezoluta e miratuar së fundi dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim këtë genocid dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës. Përmes saj, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë e tij për të parandaluar krime të tjera të rënda në të ardhmen.
Masakra e 1995-s në Srebrenicë, ku forcat serbe ekzekutuan rreth 8.000 burra e djem myslimane, përbën një prej mizorive më të mëdha ne Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Top Channel