Plot 300 kilogramë lëndë e dyshuar kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit nga Task Forca e Portit. Policia njofton se droga është gjetur në kamionin e një shtetasi nga Maqedonia e Veriut.
“Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Po ashtu raportohet se drejtuesi i kamioni, 40-vjeçari, Nazif Ajroski, nga Maqedonia e Veriut është arrestuar, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
“Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut”, bën të ditur policia.
Mësohet se paraprakisht para grupit hetimor shoferi të ketë thënë se nuk ka dijeni për ngjarjen. Po ashtu ai ka shtuar se është shofer që bën transport ndërkombëtar të materialeve të ndërtimit dhe se nuk ka lidhje me lëndën narkotike. Dyshohet se droga që do të kalonte transit nga Shqipëria kishte si destinacion veriperëndim të Italisë, për t’u hedhur më tej në tregun e narkotikëve.
Top Channel