Në fund të vitit të kaluar 93-vjeçarja Vladica Dicic u bë banorja e fundit që u largua nga shtëpia e saj në fshatin e largët malor Vaganesh, në komunën lindore kosovare të Kamenicës, e cila u kthye kështu në një qytet fantazmë ashtu si disa të tjerë në vend.
Dicic, serbe e Kosovës, është nënë e pesë fëmijëve, katër prej të cileve janë larguar në Serbi për një jetë më të mirë. Ajo vetë mbeti vetëm kur djali saj më i vogël doli nga fshati për t’u vendosur në qytetin e Kamenicës.
Katër vjet më parë dhe fqinjët e mbetur u larguan nga Vaganesh, por Dicic refuzonte të hiqte dorë nga jeta e saj e lëndinave.
Teksa avancimi i moshës reduktonte lëvizshmërinë e saj, një shqiptar i Kosovës nga fshati fqinjë i Strezovc, Fadil Rama, nisi të vinte për ta ndihmuar, duke i sjellë rregullisht ushqim dhe furnizime të tjera.
“Djali i saj i vogël nuk mund të kujdesej për të sepse kishte gruan të paralizuar, kështu që m’u lut të kujdesesha sa mundja, dhe unë i dhashë fjalën”, thotë Rama për rrjetin BIRN në Kamenicë, teksa Dicic tashmë jeton në shtëpinë e djalit të saj.
Shëndeti i saj është përkeqësuar dhe nuk mund të ngrihet nga krevati, por vizitat e Ramës vazhdojnë t’i sjellin asaj buzëqeshjen. “Ky është djali im i tretë”, thotë serbja e moshuar, duke puthur dorën e Ramës e duke i dhënë bekime të shumta.
Vizitat e Ramës në familjen serbe dhe ndihma që ai vazhdon të ofrojë, janë një nga shembujt e rrallë të lidhjeve mes komuniteteve serbe e shqiptare, marrëdhëniet e të cilave janë përkeqësuar që prej luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Djali i saj Slobodan Dicic, 62 vjeç, thotë se kur familja jetonte në fshatin e largët, ata kishin pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët, pa menduar shumë mbi etninë e tyre.
“Lufta nuk na armiqësoi me njëri-tjetrin, por vetëm na bëri më të vetmuar sepse njerëzit largoheshin nga kushtet e këqija të jetesës në fshat. Askush nuk do më të punojë me bagëtitë e me kullotjen”.
Por në shtëpinë e Slobodan Dicic në Kamenica, nuk është e pazakontë të dëgjosh të flitet shqip, pasi ai është martuar me një grua nga veriu i Shqipërisë, me anë të një mblesërie 17 vjet më parë.
Leze Dicic thotë se fillimisht besonte se do të martohej nga familja e saj me një shqiptar në Kosovë, por kur mbërriti mësoi se burri i saj i ardhshëm do te ishte një serb. Por komunikimi nuk ishte problem pasi Dicic dinte shqip teksa ishte rritur me të rinjtë kosovarë.
Rama kujton se kur ishin të vegjël luante me fëmijët e Vladica Dicic dhe kishte krijuar një lidhje të fortë me to.
“Kishte diçka që më nxiste ta ndihmoja. Kisha ngrënë bukë nga duart e saj,” shpjegon ai.
Megjthë sëmundjen, Vladica Dicic shpjegon sesi vlerëson ndihmën e Fadilit. “Ai vazhdonte të vinte edhe në mes të dëborës së rëndë, kur as zogjtë nuk lëviznin dot”, thotë gruaja.
Djali i saj Slobodan thotë se ndihma e Ramës për nënën e tij shërben si një shembull për familje të tjera serbe e kosovare që kanë ndihmuar njëri-tjetrin.
“Ne e mbështesim atë sepse kjo tregon vetëm njerëzim. Bamirësia nuk ka etni”, thotë fqinji shqiptar Bekim Ademi. “Jemi njerëz mbi të gjitha,” thotë Slobodan Dicic.
Rama kujton se gjatë kohës së luftës, shqiptarët largoheshin nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga ushtria serbe. Burri i Vladica Dicic i cili ishte ende gjallë atëherë, i ofronte bukë fqinjëve që i bashkoheshin karvanëve të refugjatëve në largim.
Por armiqësitë etnike vijojnë në rajon që prej luftës, megjithë përpjekjet ndërkombëtare për zbutjen e tensioneve.
Rama thotë se ka marrë mjaft mesazhe negative nga njerëz që i kujtojnë masakrat e kryera nga ushtria e milicia serbe në luftën e viteve 1998-1999.
“Disa fqinjë më kanë mbështetur, por të tjerëve nuk u pëlqen kjo që bëj, megjithatë unë nuk ndalova”, thotë ai.
Top Channel