Mungesa e kazanëve të mbeturinave në fshatin Plug të  Lushnjes për më shumë se një javë ka detyruar banorët që mbeturinat t’i hedhin në tokë.

Shkak për mungesën e kontenierëve është bërë firma që prej 15 vitesh pastronte fshatin, por me humbjen e tenderit ajo ka tërhequr edhe kontenierët. Bashkia Lushnje nga ana e saj është munduar të pastrojë plehrat me aq mundësi sa ka, por që nuk ia del dot. Në këto kushte banorët u ankuan në Fiks Fare pasi është e pamundur të jetohet me plehrat nëpër këmbë.

Fiksi  iu drejtua Bashkisë Lushnje për të kuptuar diçka nga situata e krijuar.  Drejtori  i Shërbimeve Publike  në bashki, z.Ergest Karkulli shprehet për Fiksin se situata e krijuar në  fshatin Plug është si rrjedhojë e humbjes së tenderit nga firma që e pastronte territorin prej 15 vjetësh. Me ikjen e saj ajo tërhoqi edhe kontenierët e plehrave nga vendet përkatëse.

Bashkia vetë ka rreth 360 kontenier dhe po mundohet ta ketë nën kontroll situatën shprehet drejtori.  Ai shpjegon se nga ana e Bashkisë Lushnje është berë tenderi për pastrimin  e këtyre territoreve dhe është shpallur firma fituese, por firmat e tjera pjesëmarrëse në tender e kanë ankimuar e si pasojë pritet mbyllja e procedurave.  Pyetjes se kur mund të marr fund kjo situatë z. Karkulli iu përgjigj se në fund të muajit problematika do jetë zgjidhur.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel