Elisabeta Imeraj tërhiqet nga prokurore e SPAK, zgjedh të rrijë në krye të Prokurorisë së Tiranës

18/06/2021 12:48

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, është tërhequr nga kandidimi në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Mësohet se shkak i tërheqjes së saj është fakti se ajo do të mbajë postin e kryeprokurores së Tiranës.

Më 26 mars, KLP vendosi caktimin e prokurores Elisabeta Imeraj, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për një mandat 3 vjeçar.

Imeraj doli para trupës së vettingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 24 mars kur KPK kreu hetim në të tre shtyllat, pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure.

Elisabeta Imeraj përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi për 13 vite si prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në gusht 2018, ajo u komandua si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që kishte kandiduar për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Top Channel