Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar sërish të premten që Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim dhe që Serbia ta njohë shtetësinë e Kosovës.

Ai i ka bërë këto deklarata në samitin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Vjenë.

Kosova është përfaqësuar nga kryeministri Albin Kurti, Shqipëria nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, Serbia nga kryeministrja Ana Bërnabiç, Bosnja nga kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, Maqedonia e Veriut nga kryeministri Zoran Zaev dhe Mali i Zi nga kryeministri Zdravko Krivokapiç.

Kurti ka thënë se Kosova po e menaxhon mirë pandeminë e koronavirusit dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian të vendosë Kosovën në mesin e vendeve me udhëtim të sigurt.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Këshilli i Bashkimit Evropian ka hequr kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë”, ka thënë Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, besimi qytetar në institucione është rritur.

Kurti ka thënë po ashtu se përgjatë samitit, ka kërkuar liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe ka propozuar që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore).

Ai ka bërë kërkesë të njëjtë edhe në raundin e fundit të dialogut të zhvilluar më 15 qershor në Bruksel.

Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut.

Në fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik./ REL

Top Channel