Arrestohen autorët e dyshuar për ekzekutimin e vëllezërve Haxhiaj në Durrës. Sipas burimeve policore, të arrestuarit janë Besian Xhixha dhe Enver Diva.
Ata dyshohet se janë kontaktuar nga Nuredin Dumani për të kryer vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në prill të vitit të kaluar.
Bashkëpunëtori i drejtësisë për këtë krim, Klevis Alla pati rrëfyer se shkak i vrasjes mendon se ka qenë një shumë parash, që Talo Çela e kishte grabitur në Rinas dhe e kishte lënë në ruajtje në servisin e vëllezërve Haxhiaj.
Lekët e lënë në ruajtje ishin zhdukur ndaj dyshohet se u organizua vrasja e tyre.
Më 27 prill Besmir e Viktor Haxhia u ekzekutuan në Durrës me breshëri plumbash, ndërsa vendi ndodhej në karantinë. Për vrasjen e vëllezërve Haxhia deri më sot janë arrestuar Klevis Alla dhe Altin Ndoci.
Mbi dy të arrestuarit deklarohet paraprakisht se rëndon akuza e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen”, pasi ata i kanë ndjekur dhe vëzhguar lëvizjet e vëllezërve.
Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.
Njoftimi
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vazhdimi”, për vënien në pranga të personave të përfshirë në një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2020.
Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, me mbështetjen e Forcave Speciale Renea dhe të Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Në vijim të punës hetimore të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të vrasjes së dyfishtë të ndodhur në vitin 2020, në tregun e makinave në Shkozet, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër, bazuar në provat e grumbulluara, mëngjesin e sotëm u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Vazhdimi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Besian Xhixha., 30 vjeç, banues në Larushkë, Krujë dhe Enver Diva., 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin.
Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” , kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së shtetasve B. H. dhe V. H. (vëllezër).
Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.
Materialet do t’i dërgohen Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Top Channel