“Të korruptuarit të shkojnë në burg”/ Ambasadorja Yuri Kim shpjegon urdhrin e Presidentit Biden

17/06/2021 15:29

Një javë nga shpallja e luftës ndaj korrupsionin në Ballkanin Perëndimor, si prioritet të SHBA-së prej presidentit Biden, ambasadorja Yuri Kim shpjegoi se në shenjestrën amerikane, krahas politikanëve do të jenë edhe trafikantët e qenieve njerëzore.

Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë se korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krime të tjera destabilizuese përbëjnë kërcënime për sigurinë kombëtare të SHBA. Ata kanë udhëzuar të gjitha agjencitë qeveritare të SHBA për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kundër dëmit që krimet e rënda dhe abuzimi me të drejtat njeriut, të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore, i shkaktojnë sigurisë sonë kombëtare. Në këtë drejtim, ne duam të nënvizojmë rëndësinë e luftës kundër abuzimeve ndaj të drejtave të njeriut në Shqipëri. Përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE dhe anëtarësim nuk kërkojnë asgjë më pak”, u shpreh Kim.

Departamenti i Shtetit deri më tani ka vënë një shenjestër me masë ndalimi ndaj disa personazheve në Shqipëri, politikanë si Sali Berisha, Vangjush Dako dhe Tom Doshi dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Shpjegimet për urdhërin e presidentit amerikan, ambasadorja Kim i bëri gjatë konferencës së organizuar nga OSBE kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ambasadorja në fund e vuri theksin pikërisht të ky lloj krimi.

Ne synojmë t’u kërkojmë llogari atyre që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor. Nëse trafikoni qenie njerëzore, ne mund t’ju ndalojmë të hyni në Shtetet e Bashkuara duke pezulluar dokumentet tuaja të udhëtimit në Sh.B.A. Nëse keni një vizë amerikane, ajo nuk do t’ju hyjë më në punë. Nëse keni një peticion për një vizë emigrimi, nuk pi ujë”, theksoi ambasadorja.

Top Channel