Gjykata Kushtetuese do të japë sot verdiktin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Kjo pasi sipas rregullores, Gjykata Kushtetuese duhet të japë një vendim brenda 24 orëve për këtë çështje.
Në seancën e djeshme u bë gjykimi i themelit të çështjes, ku Presidenti dhe Aleanca kërkuan shfuqizimin e ligjit special të 2018-ës, të VKM-së së transferimit të pronës së 2020- ës, që përcakton shfuqizimin e kalimit të pronësisë së Teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, rrëfeu përpara togave të zeza, të gjitha parregullsitë në ligjet e kaluara nga qeveria dhe Bashkia. Ndërsa nga ana tjetër, përfaqësuesi i Kuvendit dhe më pasi ai i qeverisë, pretenduan se Teatri Kombëtar nuk është në listën e Monumenteve të Kulturës.
Për një vendim kundër shembjes së Teatrit Kombëtar votimi duhet të jetë 5 me 2 në favor të Teatrit, ndërsa ndarja e gjyqtarëve 4 me 3 i jep të drejtë qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për shembjen e godinës.
Kujtojmë se në seancën e një dite më parë që zgjati 12 orë nuk u arrit të merrej një vendim.
Debati i nxehtë për çështjen e Teatrit Kombëtar nisi që në fund të vitit 2017, por godina u shemb mëngjesin e 17 majit të 2020-ës.
Kjo solli protesta dhe përplasje fizike mes aktivistëve dhe policisë. Shembja e godinës u realizua pasi kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me disa nga artistët për ndërtimin e godinës së re.
Kjo ngjarje solli edhe përfshirjen e politikës, ku artistët u ndanë në dy grupe, pro dhe kundra shembjes së teatrit.
PD-a dhe LSI-ja u pozicionuan kundër shembjes së Teatrit, ku së bashku me disa prej artistëve kërkonin rinovimin e tij dhe ruajtjen e ndërtesës si pjesë e trashëgimisë dhe traditës kulturore të Shqipërisë.
Duke u pozicionuar në krah të PD-LSI, Presidenti Ilir Meta, në korrik të vitit 2019, depozitoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit nr. 37/2018 të Kuvendit, i cili parashikonte ndërtimin e një teatri të ri.
Gjithashtu, Meta ka kërkuar rrëzimin edhe të vendimit të qeverisë nr. 377 / 2020 për kalimin e teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Top Channel