Ambasadorja e SHBA-së: Biden e bëri të qartë, korrupsioni dhe krimet destabilizuese janë kërcënim jo vetëm për Amerikën, por edhe për botën

17/06/2021 10:49

OSBE në Tiranë organizoi sot në Tiranë konferencën me temë “Përpjekje të përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri”.

Ambasadorja e SHBA-në Tiranë, Yuri Kim gjatë fjalës së saj ka komentuar urdhrin e ri të presidentit Joe Biden ku përfshihet Shqipëria dhe ish-Jugosllavia.

Kim shprehet se urdhri i Biden synon të kërkojë llogari ndaj atyre që shkelin të drejtat e njeriut, ndërsa ka theksuar se personat që kryejnë trafik qeniesh njerëzore do u ndalohet hyrja në SHBA dhe ka kërkuar që trafikantët të çohen në burg.

‘’Mirëmëngjes! Ambasador del Monaco, Ambasadore Ekstedt, Ambasador Soreca, Zëvendës ministre Kuko, të nderuar të ftuar. Është kënaqësi të jem këtu.

Siç jeni në dijeni, Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë se korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe krime të tjera destabilizuese përbëjnë kërcënime për sigurinë kombëtare të SHBA. Ata kanë udhëzuar të gjitha agjencitë qeveritare të SHBA për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kundër dëmit që krimet e rënda dhe abuzimi me të drejtat njeriut, të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore, i shkaktojnë sigurisë sonë kombëtare.

Në këtë drejtim, ne duam të nënvizojmë rëndësinë e luftës kundër abuzimeve ndaj të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Përgatitjet e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE dhe anëtarësim nuk kërkojnë asgjë më pak.

Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden lidhur me Ballkanin Perëndimor e ngre mbrojtjen e të drejtave të njeriut – dhe për rrjedhojë luftën kundër trafikimit njerëzor – në një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ne synojmë t’u kërkojmë llogari atyre që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Kjo do të thotë që trafikantët përfaqësojnë, për të cituar gjuhën e urdhërit: “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Nëse trafikoni qenie njerëzore, ne mund t’ju ndalojmë të hyni në Shtetet e Bashkuara duke pezulluar dokumentet tuaja të udhëtimit në Sh.B.A.

Nëse keni një vizë amerikane, ajo nuk do t’ju hyjë më në punë

Nëse keni një peticion për një vizë emigrimi, nuk pi ujë.

Nëse trafikoni qenie njerëzore, qeveria e SHBA mund të ndërmarrë veprime kundër pronës suaj nëse kalon përmes ose ka një lidhje me Shtetet e Bashkuara.

Vini re se urdhëri ekzekutiv i Presidentit Biden kërkon veprim kolektiv, gjë që është tema e forumit të sotëm.

Ne do ta zbatojmë urdhërin duke bashkërenduar veprimet tona – së brendshmi dhe së jashtmi- për të arritur qëllimin tonë të përbashkët.

Shqipëria është në një pikë kthese – ajo është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, përfundoi një kthesë të suksesshme si Kryetare e Zyrës së OSBE-së në vitin 2020, sapo fitoi një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB për vitin 2022-2023 dhe është në prag të hapjes formale të negociatave për anëtarësimin në BE.

Ky është momenti që Shqipëria – qeveria, shoqëria civile, media, të tjerët – të tregojnë udhëheqje në përpjekjen globale për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore.

Me shoqërinë civile, përfshirë OJQ-të që drejtojnë tre prej strehëzave të Shqipërisë për viktimat e trafikimit, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e drejtësisë mund të ringjallin përpjekjet e ndërlikuara nga COVID-19 për të identifikuar më shumë viktima, për të ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët dhe për të përgatitur të trafikuarit që të rihyjnë në shoqëri.

Falë reformës në drejtësi, ju e dini që keni institucionet dhe profesionistët për të vendosur trafikantët pas hekurave dhe për t’u kujdesur për viktimat.

Ne e nxisim Qeverinë e Shqipërisë të përtërijë përpjekjet e saj për të identifikuar viktimat, për t’i bërë ato të plota dhe për të dërguar trafikantët në burg.

Le të punojmë së bashku në partneritet – siç thotë koncepti për këtë aktivitet – për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.”, tha ambasadorja.

Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco; Zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Romina Kuko; ambasadorja suedeze kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Anna Ekstedt; përfaqësuesi i Posaçëm dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Valiant Richey dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, foli për strategjinë e BE-së për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, e cila sipas synon edhe bashkëpunimin e ngushtë me vendet jo anëtare si Shqipëria.

” Më lejoni të falënderoj OSBE-në që këtë çështje vitet e fundit e kanë bërë prioritetet.  Ne kemi  një strategji si BE për të luftuar këtë fenomen. Kjo është një strategji e cila tashmë po shtrihet në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe ne e kërkojmë edhe nga vendet kandidate. Synimi ynë që trafikimin e qenieve njerëzore nga një krim me rrezik të ulët por me fitim të lartë ta kthejmë në një krim me fitim të ulët por me rrezik të madh. Strategjia thekson gjithashtu edhe nevojën e bashkëpunimit me vendet jo anëtare, siç është edhe Shqipëria. Sigurisht që qasja në drejtësi është shumë e rëndësishme”, tha ndër të tjera Soreca.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA