Që nga krijimi i saj në vitin 1991 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ndodhet përpara shqyrtimit dhe marrjes të një vendimi, të paprecedentë për vendin tonë deri më tani, në certifikimin e votimit nga parlamenti të shkarkimit të presidentit Ilir Meta.
Rezultatin e votimit pro shkarkimit dhe raportin e komisionit hetimor kuvendi ia dërgoi dy ditë më parë Gjykatës Kushtetuese. Top Channel nga burime pranë kësaj gjykate, mëson se ende nuk është hedhur shorti për caktimin e relatorit që është hapi i parë në këtë proces. Sipas ligjit kushtetuesja ka tre muaj kohë nga data e marrjes së shkresës nga kuvendi për ta shqyrtuar këtë çështje.
Ajo që nuk dihet ende ka të bëjë me faktin nëse kjo gjykatë do ta llogarisë si kohë të afatit 3 mujor, muajin Gusht që është një muaj pushimi për institucionet e drejtësisë. Por cilët janë skenarët e mundshëm të asaj që mund të ndodhë në gjykatën më superiore në vend.
Disa juristë me të cilët u konsultua Top Channel shpjegojnë se një prej skenarëve më të volitshëm për kushtetuesen mund të jetë dërgimi tek Komisioni Venecias për një opinion. Në këtë mënyrë anëtarët e kushtetueses heqin nga kurrizi i tyre një përgjegjësi shumë të madhe duke e pyetur Venecian se a konsiderohen shkelje të renda të ligjit deklarimet e presidentit, sa të shkarkohet. Nisur nga zgjedhja e anëtarëve të gjykatës kushtetuese, parashikohet që disa prej tyre të mbajnë edhe një qëndrim politik në konfliktin mes presidentit dhe mazhorancës duke mos e votuar nismën e kësaj të fundit.
Por nuk përjashtohet mundësia e një aludimi i një roli të pritshëm të ndërkombëtarëve që mund të sjellë një votim nga 5 me 2 deri në 7 me zero, pro shkarkimit. Ndërsa varianti i fundit është që votimi të dalë në 4 me 3. Po përse mund të ndodhë kjo. Kujtojmë që anëtarë të gjykatës kushtetuese janë Vitore Tusha, Sonila Bejtja emëruar nga vetë Presidenti dhe Marsida Xhaferllari e kontestuar nga socialistët gjatë procesit të zgjedhjeve. Ndërkohë anëtarët e tjerë janë Altin Binaj, Fjona Papajorgji, Përparim Kalo dhe Elsa Toska.
Balancat në gjykatën kushtetuese mund të ndryshojë për shkak se më 2 korrik, është afati i fundit për Gjykatën e Lartë për të dërguar dy anëtarët e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel