Tentuan të kalonin emigrantë të paligjshëm në kufi, arrestohen dy persona në Kakavijë. I sekuestrohen edhe…

16/06/2021 11:41
Foto Ilustruese

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës, pasi janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm.

Policia njofton se shuma që ata kishin kërkuar nga emigrantët ishte 200 euro, ndërsa pas kapjes policia ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e dy automjeteve, si dhe dy aparateve celular.

“Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë dhe shërbimet e FRONTEX-it, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 30 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.

Shtetasi H. M. u kap në afërsi të fshatit Bulo, duke transportuar me automjetin tip “Opel Corsa”, 11 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person.    

Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 33 vjeç, banues në Sarandë, i cili u kap në afërsi të fshatit Kakavijë, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person”, njofton policia.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Top Channel