Nuk ka punëtorë për të vjelë/ Në Dvoran të Korçës qershitë mbeten në pemë

16/06/2021 15:20

Nga dita kur Greqia njoftoi lejimin e kalimit të punëtorëve e sezonalë, 6045 persona kanë kaluar kufirin përmes pikës së Kapshticës.

Por ndërsa i drejtohen pemtoreve të vendit fqinj për të punuar aty, në Dvoran një prej zonave që prodhon kryesisht qershinë duket se ka vështirësi për të siguruar krahun punëtor. Shkak është pagesa më e lartë në vendin fqinj që tërheq punëtorët duke vendosur në vështirësi fermerët këtu.

Puna sezonale mbetet një prej të ardhurave kryesore për jetesën e mijëra shqiptarëve dhe kërkesa e Greqisë ka zbrazur tregun vendas.

Nëse një punëtor në vendin fqinj arrin të fitojë mesatarisht 30 euro në ditë, fermerët në Dvoran mund të përballojnë pagesa nga 12 deri në 15 mijë lekë të vjetra. Sezoni i vjeljes së qershive është i shkurtër dhe mungesa e punëtorëve rrezikon që ato të mbeten pa vjelë.

Përveç qershive, në çdo sezon pune fermerët e Dvoranit apo edhe zonave të tjera vendosen në vështirësi pasi nuk arrijnë të sigurojnë mjaftueshëm punëtorët duke bërë që prodhimet shpesh tu mbeten pa vjelë.

Top Channel