Fier/ 27-vjeçari ‘del zbuluar’, sapo sheh policët hedh çantën ku mbante pistoletën

16/06/2021 09:50

Një shtetas nga Fieri është arrestuar sot, pasi u kap me armë zjarri dhe fishekë.

Sipas policisë, 27-vjeçari, sapo ka parë policët pranë lokalit ku po qëndronte, në lagjen “Fermë-Çlirim”, ka hedhur nga dritarja, çantën ku kishte futur pistoletën.

Shtetasi me iniciale I.H. ishte person me precedent të mëparshëm penal.

Njoftimi i policisë:
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH dhe DVP Fier, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.
Si rezultat, në lagjen “Fermë-Çlirim”, në ambientet e një lokali, gjatë kontrollit të zhvilluar nga Renea, shtetasi I. H.(K)., 27 vjeç, sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë. Gjatë këqyrjes së çantës, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj armën e zjarrit pistoletë me dy karikatorë me fishekë luftarakë dhe kartën e identitetit të 27-vjeçarit.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit I. H. (K)., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel