Burri i akuzuar për vrasjen e të dashurës tentoi të shiste makinën me trupin e saj në sediljen e pasme (fotot)

16/06/2021 18:33

Trupi i 44-vjeçares Pamela Paz, ishte hedhur në një parking në periferi të Nashville, Tennessee një ditë pasi i dyshuari i vrasjes Robert Johnson kishte tentuar të shiste makinën e saj.

Sipas raportimeve të policisë vendore në SHBA, një burrë i dyshuar për vrasjen e të dashurës ishte përpjekur të shiste makinën e saj me trupin e viktimës ende në sediljen e pasme.

Shkaku i vdekjes së Pamela sipas raportimeve ishte mbytja.

I dashuri i saj 31-vjeçari Robert Miquel Johnson është identifikuar si i dyshuar.

“Ai është marrë në pyetje dhe kishte një alibi, që më pas rezultoi e rreme,” thuhej në njoftimin e policisë.

Teksa hetimet vijonin, një dëshmitar informoi autoritetet se pak para gjetjes së trupit të Pamelas, “Johnson kishte tentuar të shiste makinën e saj Dodge Charger me viktimën të vdekur në sediljen e pasme”.

Vajza 18 vjeçare e Pamelas, Kendall Smith, tha për mediat se nëna e saj do të kishte luftuar “si egërsirë” për të shpëtuar nga vrasësi.

Ajo shtonte se edhe para raportimit të vdekjes, e dinte se diçka nuk shkonte.

“Vëllezërit e mi ishin lënë vetëm në shtëpi që prej të mërkurës, dhe habiteshin që nëna nuk ishte në shtëpi. Ata janë 10 e 11 vjeç dhe s’mund të rrinë në shtëpi për ditë me radhë”, thotë ajo.

Kendall tha se nëna e saj ishte nënë e vetme e katër fëmijëve, me dy djem e dy vajza.

Pamela ishte e lumtur që kohët e fundit ishte bërë për herë të parë gjyshe, ajo ishte “qendra e gëzimit” dhe gjithmonë bënte njerëzit për të qeshur, tha e bija.

“Policia po punon shumë për të zbuluar vrasësin e nënës time, dhe ne do të kemi drejtësi për të”, shton Kendall.

Hetimet vazhdojnë.

FOTO GALERI
1/3
Trupi i 44-vjeçares Pamela Paz, ishte hedhur në një parking në periferi të Nashville

Top Channel