Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë sot dakord të heqin kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore duke përfshirë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

Pavarësisht vendimit, ndonjë nga shtetet anëtare mund të vazhdojë të kërkojë test negativ për Covid 19 ose një periudhë karantine, raporton Radio Evropa e Lirë.
Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin.

Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.
Në muajin maj, Këshilli i BE-së hoqi zyrtarisht kufizimet në udhëtimet jothelbësore për shtetasit e vendeve të treta, të cilët janë vaksinuar me të gjitha dozat e kërkuara të vaksinës kundër koronavirusit.
Shtetasit e vendeve të treta përfshijnë edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Top Channel