Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci me një karrierë të gjatë politike lajmëroi se në shtator nuk do të jetë më pjesë e politikës, duke sjellë edhe pikëpyetje se çfarë e shtyu të jepte dorëheqjen.

Avokati Plarent Ndreca në një lidhje me skype në emisionin e pasdites në Top Channel, “ Top Talk “ që drejtohet nga gazetari Denis Dyrnjaja u shpreh se Ruçi nuk është as i sakrifikuar dhe as hero, por zgjodhi momentin e duhur për tu larguar.

Sipas tij, kjo tërheqje ndodhi pas fitores së tretë të PS-së, në një kohë të mirë për partinë që ai përfaqësonte, pas kurorëzimit të të gjitha aspiratave të tij në politikë.

“Nuk besoj se është asnjëra as tjetra, as hero, as i sakrifikuar, referuar gjestit është një veprim normal në një vend demokratik standardet e të cilave tentojmë t’i bëjmë tonat, është një veprim i një politikani me një karrierë të gjatë politike, një vendimmarrje duke menduar duke gjykuar momentin më të përshtatshëm duke i dhënë fund karrierës së tij politike në një moment që i ka përmbushur ose kurorëzuar të gjitha aspiratat e tij politike, veç postit të presidentit të Republikës. Politika ka një moshë dhe limit që varet nga qytetarët dhe vullneti individual.  Nuk kam asnjë arsye për të mos besuar të gjitha arsyet që tha Ruçi për dorëheqjen. Nëse do të bënim një analizë logjike nëse do të ishte i vrarë apo i dalë mode do ndodhte para zgjedhjeve. Ai ka hyrë në garë për të fituar zgjedhjet, në kushtet kur është fituese PS, ai zgjodhi momentin, është momenti më i mirë kur është fitues, kur nuk ka asnjë presje në gjithë karrierën e tij, momenti më i mirë. Është tërheqje nga lufta, është largim me nder absolutisht”, është shprehur Ndreca.

Kujtojmë se Ruçi zgjodhi të jepte lajmin e tërheqjes nga politika në Asamblenë e PS-së të mbajtur në stadiumin “Air Albania”.

Top Channel