Një i vrarë dhe dy të plagosur ishte bilanci fatkeq i një sherri të nisur në një supermarket të Decatur, në Atlanta ku një klient qëlloi për vdekje arkëtaren pas një mosmarrëveshjeje të momentit.
Ajo i kishte kërkuar të vendoste maskën; pas një përplasjeje verbale, burri ka dalë nga dyqani pa blerë asgjë. Pastaj është kthyer, ka nxjerrë armën e ka shtënë mbi arkëtaren. Gruaja vdiq nga plagët e marra.
Një roje sigurie ndërhyri dhe nga shkëmbimi i zjarrit, mbeti i plagosur si ai vetë, ashtu edhe klienti i dhunshëm i identifikuar si 30-vjeçari Victor Lee Tucker Jr. Vrasjet në SHBA, kryesisht ato me armë zjarri, janë shtuar ndjeshëm vitin e kaluar.
Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur vrasje masive në një objekt të kompanisë postare FedEx në Indinapolis, në një ndërtesë zyrash në Kaliforni, në një dyqan ushqimor në Kolorado dhe disa vrasje në Atlanta. Presidenti Joe Biden i cilësoi këto episode të dhunës me armë zjarri si “epidemi” dhe “turp ndërkombëtar”.
Top Channel