Qytetarët firmosin peticionin për rikthimin e aboneve të përgjithshme në treg

15/06/2021 16:44

“Në disa zona të Tiranës, kryesisht afër stacioneve të autobusëve shikohet një pamje e tillë, një stendë që fton qytetarët të firmosin në kuadër të një peticioni që po organizohet nga Organizata Politike. Prej gati një jave rreth 8000 qytetarë kanë firmosur për rikthimin e aboneve të përgjithshme në vlerën e 16 mijë lekëve të vjetra në linjat e transportit urban në kryeqytet”.

Me një vendim të Këshillit Bashkiak u vendos heqja e aboneve të përgjithshme nga qarkullimi, për një periudhë 3 mujore, pra gjatë gjithë verës. Bashkia thotë se kjo masë ndërmerret në kuadër të ristrukturimit dhe riorganizimit të transportit urban, për t’ju ofruar qytetarëve një shërbim cilësor.

“Është e drejtë e qytetarëve të Tiranës për të kërkuar një shërbim urban njerëzor, minimal të barabartë më disa qytete të Afrikës, nuk po them me vende të Europës”.

“Studimi bëhet atje në autobus. Këtu udhëtojnë kryesisht punëtorët me rrogë 300 mijë lekë. Që vijnë nga larg dhe ikin larg për të siguruar jetesën”.

“Këta duan t’i heqin fare nga qarkullimi abonetë. Dhe frika më e madhe është që do të rrisin çmimin e biletës”. 

“Pse nuk e përgjysmuan këta çmimin e abonesë, sa të mbaronin studimin”.

Deri tani janë mbledhur rreth 8000 firma qytetarësh. Ky proces do të vazhdojë edhe një javë e pas përpunimit të të dhënave, peticioni do të dërgohet në Këshill Bashkiak, thotë Arlind Qori, aktivist i Organizatës Politike.

Top Channel