Policia spanjolle gjen trupin e një prej vajzave të rrëmbyra nga babai në Tenerife (fotot)

15/06/2021 18:03

Në një raport të policisë spanjolle thuhej dje se ka gjetur në det trupin e pajetë të një vajze gjashtë-vjeçare, e cila bashkë me motrën e saj u rrëmbyen prej nënës së tyre nga i ati një muaj e gjysmë më parë.

Autoritetet thanë se dhe motra 1 vjeçare e viktimës dhe babai pengmarrës, supozohen të vdekur.

Nëna e tyre e shokuar tha se do të donte të kishte vdekur me to.

Trupi i bijës 6-vjeçare të Beatriz Zimmerman, Olivia Gimeno u gjet nga një robot nënujor në më shumë se 1000 metra thellësi në një çantë në Tenerife, më i madhi i ishujve Canary në Spanjë shkruan britanikja Sun .

Vajza tjetër 1 vjeçarja Anna Gimeno, e babai i tyre mbeten të humbur, të supozuar të vdekur. Një mjet kërkimi ujor kishte gjetur një çantë të dytë në thellësi, por e zbrazur.

Nëna e shokuar e vajzave tha se babai i fëmijëve e kishte lënë atë qëllimisht në jetë që të vuante sa më shumë.

“Më dhemb shpirti që nuk arrita të shpëtoj jetën e tyre, do të kisha dashur të isha aty duke vdekur bashkë me to” shkruante nëna.

Forcat spanjolle të Guardia Civil thanë se po vazhdojnë kërkimet për Anna e Gimeno.

“Trupi u gjet nga një robot i anijes së kërkimit Angeles Alvarino. Ishte brenda një çante sportive, e lidhur me një peshë. Pranë saj kishte një tjetër çantë sportive të zbrazur. Anija po vazhdon kërkimet”, thanë zyrtarët.

Gimeno besohet se është ndihmuar nga të paktën një person tjetër për të kryer atë që besohet si pengmarrja e paramenduar e 27 prillit.

Zimmerman i bënte homazhe bijave të saj ndërsa quante veprimet e ish-partnerit “akte monstruoze që një person mund të kryejë”.

Nëna e vajzave tha se pranonte se edhe Anna ka vdekur, dhe falenderonte njerëzit që ndihmuan në përhapjen e mesazheve dhe lutjeve të saj.

Gimeno ishte zhdukur me vajzat pasi kishte paralajmëruar ish-të dashurën se nuk do t’i shihte më kurrë, pasi ajo kishte nisur një lidhje me një burrë të pasur e të moshuar, të quajtur Eric Domb, shkruan Sun.

Babai raportohet se kishte rrahur 60-vjeçarin para se të merrte peng vajzat.

Prokurorja Priscila Espinosa Guterriez tha se provat nuk tregonin se babai kishte planifikuar paraprakisht të merrte peng vajzat.

FOTO GALERI
1/6
Nëna e shokuar e vajzave tha se babai i fëmijëve e kishte lënë atë qëllimisht në jetë që të vuante sa më shumë.

Top Channel