Pogradec/ Prisnin pemë në zonën e mbrojtur, arrestohen 2 persona, mes tyre dhe inspektori i pyjeve

15/06/2021 14:24

Dy shtetas janë arrestuar dhe dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pasi janë kapur duke prerë pemë në zonën Llëngës, në Pogradec.

Policia ka arrestuar inspektorin e pyjeve në bashkinë e Pogradecit, 43-vjeçarin me iniciale A.Xh., 35-vjeçarin me iniciale A.Xh. dhe ka nisur hetimin ndaj 541-vjeçarit me iniciale F.M. dhe 30-vjeçarit me iniciale G.A.

Sipas policisë, këta persona prisnin pemë në mënyrë të paligjshme dhe më pas i shisnin.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas një hetimi disamujor nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan operacionin e koduar “Mokra”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Xh., 43 vjeç (me detyrë inspektor pyjesh pranë Bashkisë Pogradec), A. Xh., 35 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit F. M., 51 vjeç dhe G. A., 30 vjeç, banues në Pogradec.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë këtij operacioni rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin në mënyrë të organizuar, prerje të paligjshme të pyjeve në zonën e mbrojtur të Llëngës në Pogradec, dhe grumbullonin, transportonin e më pas shisnin lëndën drusore në subjekte dhe persona të tjerë.

Shtetasi A. B., duke qenë me detyrë inspektor pyjesh, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar dhe favorizuar këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, shërbimet e Policisë, në rrugën Vërdovë-Pogradec, kanë kapur 35-vjeçarin A. Xh. (i proceduar edhe më parë për prerje të paligjshme të pyjeve), duke transportuar me mjetin tip kamion “Benz”, 20 metër sterë dru ah dhe lis, pa dokumentacionin përkatës, sasi e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel