Tkurrjet muskulare në pulpën e këmbës shkaktojnë shumë dhimbje të forta, veçanërisht kur ato shfaqen gjatë natës. Këto ngërçe zakonisht prekin pjesën e pulpës së këmbës, shputën e këmbës madje edhe tendinat.
Ato janë më të shpeshta pas moshës 40-50 vjeçare. Deri më tani, shkencëtarët nuk kanë arritur të përcaktojnë një shkaktar të saktë të tkurrjeve muskulare, por teoritë janë të shumta.
Shkaqet E Mundshme Të Ngërçit Të Këmbës
Disa shkencëtarë janë të mendimit se stili modern i jetesës është një nga shkaktarët e mundshëm të tkurrjeve të muskujve të këmbës. Nëse më parë, njerëzit kalonin shumë kohë duke ecur, duke u ulur dhe ngritur në këmbë, tani shtendosjes së tendinave të këmbës i kushtohet më pak kohë. Ekspertë të tjerë thonë se gjatë gjumit, këmba është në pozicion të njëjtë për disa orë dhe çdo lëvizje e vogël shkakton kontraktim.
Ngërçet e këmbës shfaqen më shumë në verë se në dimër. Sipas të dhënave gjatë verës, rritja dhe riparimi i nervave është më intensiv. Trupi prodhon vitaminë D nga ekspozimi i diellit, dhe trupi përshpejton riparimin e nervave. Sipas teorive të tjera, gjatë verës njerëzit ushtrohen dhe djersijnë më shumë duke u dehidratuar rregullisht. Dehidratimi është identifikuar si shkaktar i mundshëm i ngërçeve muskulare. Këto të fundit shfaqen më shumë në rastet e shtatzanisë, depresionit, artritit dhe tensionit të lartë.
Si Të Parandaloni Ngërçet E Këmbës
Ekspertët thonë se njerëzit që kryejnë shtendosje të rregullta të gjymtyrëve përpara gjumit pësojnë më pak kontraktime. Për më tepër, sipas informacioneve, konsumi i shumë ushqimeve me magnez është i këshillueshëm kundër ngërçeve. Ushqime të pasura me magnez janë fasulet, arrorët, drithërat e plota dhe barishtet. Përpos ushqimeve, duhet të siguroheni që të pini shumë ujë gjatë ditës dhe të merrni edhe vitamina B. E fundit por jo për nga rëndësia, kur ngërçi kaplon këmbën, sigurohuni që ta shtendosni atë sa më shumë shtrirë ose në këmbë./AgroWeb
Top Channel