Ambasada amerikane në Tiranë: Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA dhe elementë të opozitës iraniane në Shqipëri Kartmonedha 10.000 lekëshe do të jetë në qarkullim për përdorim në fund të muajit qershor.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi sot dy prerje të reja të kartëmonedhave, 1.000 lekëshe dhe 10.000 lekëshe. Prerja 10 mijëshe është më e madhja deri më tani dhe del për herë të parë në treg me një prerje të ridizajnuar. Për këtë kartëmonedhë, është zgjedhur autori i Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni).
“Kartëmonedha më e re, me vlerë 10,000 lekë, prezantohet sot. BSH prezanton sot dy kartëmonedha të reja, prerjet 1 mijë lekë dhe 10 mijë lekë, ku kjo e fundit është një prerje krejtësisht e re në serinë e kartëmonedhave shqiptare. Hedhja në treg për herë të parë përfaqëson në vetvete shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe tregues të tjerë, që lidhen me trajtimin e parasë. Kjo shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe plotëson kërkesat e tregut për ta pasur. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë të parasë, duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, si dhe duke rritur efikasitetin e BSH. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerje më të lartë rrit efikasitetin e BSH edhe për të administruar një stok, për të përballuar raste të rritjes së paparashikuar të kërkesës së tregut”, shpjegon Sejko.
PSE NJË SERI E RE?
Banka e Shqipërisë shpjegon:
Një nga përgjegjësitë kryesore të Bankës së Shqipërisë është të garantojë besimin e publikut në paranë tonë kombëtare. Ajo e bën këtë duke emetuar një kartëmonedhë që i komunikon publikut shqiptar siguri dhe qëndrueshmëri. Mbi 20 vjet pas hedhjes në qarkullim të serisë së vjetër të kartëmonedhave Lek, natyrshëm kishte lindur nevoja e përmirësimit me elemente të reja sigurie, për t’i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit.
Kartëmonedhat tona shërbejnë edhe si mbartëse të identitetit kombëtar. Përmes mjeshtërisë artistike, ato promovojnë historinë e Shqipërisë dhe theksojnë kontributet e personaliteteve të saj. Për këto arsye, nga viti 2019, Banka e Shqipërisë filloi emetimin e një serie të re të kartëmonedhave Lek, me pamje të rifreskuar dhe elemente sigurie të përmirësuara. Kjo seri është prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, duke u kujdesur njëkohësisht që edhe pamja e kartëmonedhave të jetë më moderne. Kartëmonedha 10000 Lekë emetohet dhe hidhet për herë të parë në qarkullim, duke pasuruar kështu serinë e kartëmonedhave të reja me një prerje tërësisht të re, në përputhje me nevojat e ekonomisë shqiptare.
Shtypja dhe hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe, me prerjen më të lartë 10000 Lekë, përfaqëson në vetvete përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave me strukturën e çmimeve dhe pagave, zhvillimet e sistemit të pagesave, si dhe tregues të tjerë që lidhen
me trajtimin e parasë. Seria e kartëmonedhave shqiptare tashmë do të ketë këto prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10000 Lekë.
Top Channel