Bashkia mbylli teatrin “Petro Marko”/ Tahiraj: Dritan Leli na mbylli derën! Ja pse zgjodhëm ditën e sotme për mbledhjen jashtë radhe

15/06/2021 11:16

Mbledhja e Këshillit Bashkiak në teatrin “Petro Marko” ka dështuar pasi kryebashkiaku ka vendosur që të mbyllë dyert e ambientit me pretendimin se shkelen masat anti Covid.

Në një deklaratë për mediat, Anduel Tahiraj tha se mbledhja ishte kërkuar që në datën 1 qershor për shkak të problematikave në qytetin e Vlorës dhe iu dha kohë Dritan Lelit që të reflektonte. Tahiraj theksoi se këshilltarët vendosën që mbledhja të zhvillohej sot pasi vihet në fuqi edhe vendimi i Komitetit të Ekspertëve  për grumbullimet që bëhen nga 10 në 50 persona duke respektuar masat.

Anduel Tahiraj: Ju bëjmë me dije mbi ecurinë e mbledhjes së kërkuar të Këshillit Bashkiak. Siç ju jeni në dijeni, në datën 1 qershor, rreth 45 këshilltarë të Këshillit Bashkiak kërkuan mbledhje jashtë radhe me temë “Komunikimi me kryetarin e bashkisë përsa i përket problematikave dhe gjendjes së shërbimeve në qytet”.

Kryetari i Bashkisë, përmes një shkrese refuzoi pjesëmarrjen në këtë mbledhje me pretendimin e masave anti Covid por ky është një pretendim qesharak sepse po i njëjti kryetar, jo pak ditë më parë, u dha leje forcave të tjera politike, PD dhe forcave të tjera të zhvillojnë mbledhje në këtë sallë, jo vetëm të mbushur, por edhe duke mos respektuar masat Covid.

Natyrisht që sot ne si këshilltarë kemi ndjekur me përpikmëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit të Ekspertëve. Sot në datën 15 hyn në fuqi vendimi që nga 10 numri mund të shkojë në 50. Ne kemi marrë të gjithë masat që të jemi rigorozë në zbatimin e protokollit dhe të masave anti Covid. Ky nuk është një zhvillim i ri për ne. Ne në rrugë partiake dhe institucionale i kemi shprehur shqetësimet tona kryetarit të Bashkisë duke i dhënë mundësinë edhe të reflektojë, gjë që nuk ka ndodhur.

Sot jemi në këtë ballafaqim publik. Qëllimi i kësaj mbledhje është që ne si organ i zgjedhur i përfaqësuesve të qytetarëve të Vlorës kemi përgjegjësinë morale dhe institucionale të mbështetin qytetarët e Vlorës në zgjidhjen e problematikave të tyre.

Shqetësimet tona prej shumë kohësh kanë qenë në vesh të shurdhër. Kryetari i Bashkisë e ka humbur mbështetjen e PS, por edhe besimin e qytetarëve të Vlorës. Kjo na ka bërë dhe ne si këshilltarë bashkiak të marrim në dorë fatin e qytetit duke ushtruar të gjithë të drejtat që na jep ligji si këshilltarë dhe të gjithë detyrën tonë për të ndihmuar dhe ushtrua presion që ato çka në Vlorë nuk po bëhen, sezoni turistik duhet të jetë në nivelin e duhur, punët publike duhet të jenë në nivelin e investimeve të qeverisë, kjo është dhe detyra jonë që ne të bëjmë që puna e pushtetit vendor të jetë në nivelin e duhur.

Unë e shpreha në fjalën time që prej shumë kohësh kemi kërkuar që kryetari i Bashkisë të reflektojë. Sot jemi përballë një kërkese për të ballafaquar se nuk kemi parë reflektim nga puna e tij. Shembulli është sot kur këshilltarët përbuzen në këtë formë duke u mbyllur derën dhe duke dhunuar të drejtën, lirinë e fjalës që i jep demokracia. Ky ishte ballafaqim publik.

I pyetur përse insistuan që kjo mbledhje të zhvillohej fizikisht dhe jo online siç kërkoi kryebashkiaku Dritan Leli, Tahiraj tha se ishte për shkak të rëndësisë së mbledhjes.

Anduel Tahiraj: Rëndësia e mbledhjes, ne e gjykuam që ishte e papërshtatshme për tu zhvilluar online dhe vendosëm që të zhvillohej sot në orën 10:00. Mbledhja i është kërkuar kryetarit të Bashkisë që me 1 qershor dhe i është lënë mundësia e reagimit dhe zgjedhjes. Këshilltarët kanë zgjedhur datën 15 duke qenë se sot Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të hyjë në fuqi vendimi që numri i pjesëmarrësve të shkojë në 50.

Këshilltarët janë njerëz politikë që përfaqësojnë PS, janë edhe profesionistë të cilët punojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytet. Asnjë nga këshilltarët nuk është detyruar. Arriti në një pikë që nuk mbante më sepse qyteti ishte lënë si stolat e Lungomares që prej vitesh nuk funksionojnë dhe janë ndryshkur.

Top Channel