Tregtarët e vegjël në protestë/ Bashkia e Durrësit nuk i lejon që të shesin produkte nëpër plazhe

14/06/2021 15:50

Sezoni turistik është e vetmja periudhë, kur dhjetëra tregtarë ambulantë nga Durrësi, Lushnja, Elbasani dhe rrethe të tjera, sigurojnë të ardhura, duke tregtuar produkte ushqimore dhe industriale për pushuesit në plazhet e Adriatikut.

Këtë sezon, policia bashkiake e Durrësit nuk i ka lejuar të qarkullojnë përgjatë plazheve për të shmangur ndotjen akustike dhe imazhin e pakëndshëm që krijohet nga aktiviteti i tyre.
Vendimi i ka lënë të pakënaqur ndaj të hënën, tregtarët sezonalë u mblodhën para bashkisë duke kërkuar t’u jepet e drejta dhe leja për të ushtruar aktivitetin gjatë muajve të verës, si dhe një zgjidhje sa më e shpejtë për situatën e krijuar.

Nuk na lejnë të shesim në plazh. Kemi që në 2006 që punojmë sezonal dhe tani kryetarja e bashkisë nuk na jep leje. Policia bashkiake na ndjek këmba këmbës, si kriminelë. Kur do të na japin leje?! Kur të mbarojë plazhi? Unë dal me një arkë banane në plazh, nuk po bllokoj rrugë”.

Jemi 100-150 tregtarë dhe do t’i drejtojmë një kërkesë kryetares që të na japë një zgjidhje pozitive.”
”Pse na vini shkelmin. Shes çakmakë, stilolapsa. Jam hallexhie në kulm.

Nuk kemi ku shkojmë. Policia bashkiake na ka bërë terror. Të gjithë për hall dalim. Më mirë të na varin”.

Lidhur me pretendimet e tregtarëve sezonalë, bashkia e Durrësit sqaron se e vetmja zgjidhje për ta është sistemimi pranë tregjeve ekzistuese në zonën e plazhit.

Top Channel