Të huajt e lidhur me Shqipërinë/ Fotografi amerikan, kuratori kinez dhe producenti anglez vijnë me një ekspozitë

14/06/2021 15:26

Jaron, Daniel dhe David edhe pse janë të huaj me Shqipërinë kanë lidhje të ngushtë.

Jaron Johns fotografi amerikan që u zhvendos në Shqipëri që prej 2017 ka lindur vajzën e tij në Shqipëri, ndërsa David Chang kuratori kinez është martuar me një shqiptare apo Daniel Dupree producenti anglez që ka krijuar qendrën e tij humanitare këtu prej vitesh.

Të tre së fundmi kanë bërë të mundur çeljen e ekspozitës ‘portrete shprese, vipat e përditshëm’ që ka në fokus njerëzit e thjeshtë, të shpresës që nuk përkufizohen nga profesioni apo zotërimet e tyre, por sic thotë ata vlerësohen për të brendshmen. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri në datë 17 qershor.

“E gjithë kjo ekspozitë të fton që të hapësh sytë e të shikosh të bukurën përreth nesh. Portretet e njerëzve që shikoni në mur mund të jenë çdokush prej nesh. Mund të jetë një drejtues banke apo një mbledhës mbeturinash. E vërteta është se këta njerëz janë te zhveshur nga dinjiteti dhe vetëbesimi Dhe ideja e kësaj ekspozite është t’iu kthej pak nga dinjiteti dhe tua njohin vlerat sepse keta njerëz janë njerëz qe punojnë fort per komunitetin tone”.

“Me ardhjen time nga Amerika këtu doja që të fotografoja shqiptarët sidomos të këtij komuniteti, të grupit të njerëzve që janë mbajtur të izoluar dhe të veçuar. Por për mua nuk ndryshojnë nga çdo amerikan tjetër që kam pare ne jetën e përditshme. Ata sërish kane një zemër dhe sy të bukur e shpresë për jetën e tyre që njerëzit e tjerë nuk e shikojnë. Prandaj jam fokusuar te të gjithë ata”.

“Pse zgjodha shqiptarët? Mendoj se ata më kanë zgjedhur mua. Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme sepse kur njerëzit e shikojnë atë mund të gjejnë veten aty. Ndaj, shpresojmë që të jenë të shumtë vizitorët në ekspozitë që të zbulojnë edhe diçka të re për veten e tyre, dinjitetin, identitetin dhe Shqipërinë. Është e qartë që jemi ndryshe nga paraqitja e jashtme, njerëzit pa dyshim dallojnë që unë nuk jam shqiptar por nëse do të shikonin më thellë ata do të zbulonin se njerëzit kudo në botë janë njësoj, në kërkim të së njëjtës gjë, të sigurisë apo kënaqësisë”.

Top Channel